Ballina Lajme Ekonomi Euro në pikiatë, arrin nivelin minimal historik! Sot u këmbye me 112.83...

Euro në pikiatë, arrin nivelin minimal historik! Sot u këmbye me 112.83 lekë!

2

Euro po vijon rënien pikiatë në kursin e këmbimit me lekun. E sotmja është dita kur Euro ka arritur sërish nivelin më të ulët historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye ditën e sotme me 112.83 lekë, niveli më i ulët historik së bashku me atë të 28 dhjetorit  të vitit të kaluar, kur arriti nivelin e njejtë, 112.83 lekë. Ka një tendencë të monedhës evropiane për t’u ulur duke dhënë perceptimin se është e orientuar drejt rekordeve të reja. 

Eksperti i ekonomisë Igli Tola në një lidhje me Report Tv thotë se kjo rënie e dëmton shumë ekonominë shqiptare.

“Ka një ofertë shumë të lartë të euros në ekonominë shqiptare, sidomos në tregun informal. Ekonomia jonë ndryshe nga më parë kur kishte mundësinë ta absorbonte euron nuk e ka më këtë aftësi”, tha ai. Sipas ekspertit ka një shpresë se fushata elektorale që mund të ndikojë në rritjen e euros edhe për shkak të financimeve të shtuara qeveritare që rrisin prezencën e lekut në treg. Një faktor me ndikim në forcimin e lekut kundrejt euros mund të jetë edhe natyra shtrënguese e politikës monetare dhe fiskale në vend. Norma bazë e interesit ka arritur në 3%, nga 0.5% që kishte qenë një vit më parë.

Transmetimi i kësaj rritjeje në tregun financiar ka sjellë një ngadalësim të kreditimit të ekonomisë, sidomos duke filluar nga tremujori i fundit i vitit të kaluar. Leku i fortë ul çmimin e importeve dhe po luan një rol pozitiv në drejtim të zbutjes së presioneve inflacioniste në ekonomi. Por, nga ana tjetër, forcimi i monedhës vendase ka një ndikim negativ për sektorët eksportues të mallrave dhe shërbimeve.