Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i SHBA-së, Gabriel Escobar u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë fleksibilitet maksimal dhe të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim për targat para afatit të 21 nëntorit, pas së cilës autoritetet kosovare njoftuan se do të gjobisin pronarët e të automjeteve me targa serbe.
Në një intervistë për mediat serbe, Escobar tha se palët duhet të dyfishojnë obligimet e tyre ndaj dialogut, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve tashmë të nënshkruara, që nënkupton fillimin e negociatave për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.
Lidhur me largimin e serbëve nga parlamenti i Kosovës, Escobar thotë se SHBA-të pajtohen me Bashkimin Evropian se ngjarjet e fundit janë shqetësuese.
“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në terren jetë të pafajshme dhe jetë të paqeruajtësve ndërkombëtarë”, thotë ai.
Kur është fjala për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, Eskobar shton se “Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se është e nevojshme themelimi i ZSO-së, që e bën formimin e saj obligim ligjor për Kosovën”.
I pyetur për propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Escobar thotë se detajet e propozimit janë duke u diskutuar në kuadër të dialogut të BE-së.
“Ne e mbështesim fuqimisht. Supozoj se pas bisedimeve mes dy qeverive do të fillojë një angazhim më i madh me publikun. Progresi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet shumë i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe për stabilitetin evropian në një kohë kur po përballemi me agresionin rus në Ukrainë dhe me krizat që pushtimi brutal dhe i pajustifikuar i Putinit ka shkaktuar në të gjithë Evropën”, thotë ai.
/rtsh.al/