Ballina Lajme Ermal Meta prezanton përpara publikut fierak librin e tij të parë “Nesër...

Ermal Meta prezanton përpara publikut fierak librin e tij të parë “Nesër e Përgjithmonë”

1

Ermal Meta, djali fierak si kantautor dhe shkrimtar Të gjithë e njohim si një këngëtar tashmë me një karrierë të konsoliduar, por kantautori Ermal Meta këtë herë shfaq dhe një anë tjetër të tij, atë të krijimtarisë së letërsisë.

Ai është rikthyer në Shqipëri jo për të realizuar koncertin e radhës për artdashësit e vendit të tij, por për të prezantuar librin e tij të parë “Nesër e përgjithmonë”. Si një djalë, rrënjët e të cilit shtrihen në qytetin e Fierit, nuk kishte sit ë mos ishte I pranishëm në një takim tepër të veçantë dhe emocionues me dashamirësit e tij të shumtë. Salla e teatrit “Bylis” është elektrizuar jo vetëm nga zëri i tij rrëfyes në kujtime, por edhe me të kënduarin e tij tepër të veçantë, duke sjellë për artdashësit fierakë edhe performancat e tij më të mira.

Kështu mes kujtimeve dhe suksesit, kantautori Ermal Meta, zgjodhi Fierin për t’u rikthyer në vendlindje jo vetëm si një kantautor, por edhe si një shkrimtar. I konceptuar në formën e një bashkëbisedimi Ermali arriti të shpërfaqte ndjesitë e tij për qytetin ku ka lindur duke u bërë akoma dhe më i afërt dhe i dashur përmes botimit të tij në gjuhën shqipe “Nesër dhe Përgjithmonë”.

Në takimin e zhvilluar në sallën e teatrit “Bylis”, Ermal Meta rrëfeu për të pranishmit se si i lindi ideja për të shkruar këtë libër. Ai tha se ndër vitet që ka jetuar në Itali, ndjeu një thirrje të brendshme nga vendi i tij, derisa erdhi çasti për ta bërë këtë hap. “Kam kaluar shumë vite pa u kthyer në Shqipëri, ndoshta 17, dhe sa herë që mendoja për vendin tim ndieja thirrjen e gjakut tim, ishte një thirrje shumë e fortë, saqë në fakt, më bëri efektin e kundërt, më shkaktoi frikë.

Mandej, në një pikë i thashë vetes se nuk mund të prisja dot më për ta hedhur këtë hap, kështu që e bëra, e hodha hapin dhe kuptova se kisha humbur shumë ndërkohë, por nuk ishte vonë për ta rikuperuar”, tha Ermal Meta. Libri “Nesër e përgjithmonë” flet për historinë e një personazhi me emrin Kajan i cili rritet mes stuhisë së konflikteve të shekullit XX.

Librit i janë shitur edhe të drejtat për t’u kthyer në prodhim kinematografik. Ato janë blerë nga producenti Carlo degli Esposti-Palomar për të realizuar një serial televiziv. Ky aktivitet u mundësua nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, në kuadër të Javës XXII të gjuhës italiane nëpër botë, e cila rikthehet përsëri në qytetin e Fierit dhe këtë radhë solli në Fier të mirënjohurin Ermal Meta.

Në panelin e këtij bashkëbisedimi veç artistit Ermal Meta ishin të pranishëm Konsullja e Përgjithshme, Iva Palmieri, moderatorja Iva Tiço dhe botuesja Arlinda Dudaj. Ermal Meta në këtë mënyrë të prezantimit të tij tregon që kurrë nuk duhen harruar rrënjët dhe vendi prej nga vjen por edhe të promovohen vlerat më të qenësishme të tij.

Pas përfundimit të takimit thjeshtësia dhe lirshmëria si djalë në shtëpinë e tij është manifestuar në bërjen e fotografive dhe autografet e lëshuar në faqet e botimit të tij. Libri i tij është përpirë nga dashamirësit e artit të tij, aq më shumë që behej fjalë për një artist me rrënjë fierake. Rasti Meta është një ndër të shumtët e artistëve të ikur që rikthen me plot dëshirë dhe gëzim në tokën e tyre.