Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan ka marrë pjesë në ceremoninë hapëse të “TEKNOFEST 2022” në aeroportin Samsun Çarşamba, që përbën një manifestim të inovacionit turk në fushën e pajisjeve të reja ushtarake.
“Teknofest është një rini ndryshe. Është një horizont tjetër për të ardhmen e vendit tonë”, tha Erdogan në fjalimin e tij, që kryesisht e përqendroi te retorika antiPerëndimore, duke iu referuar edhe episodeve kur Ankaraja zyrtare nuk është ndihmuar me armë moderne, ç’ka e ka shtyrë që të prodhojë të vetat.
Por lideri turk u ndal edhe te çështja e hapur me Greqinë duke lëshuar një kërcënim të hapur ndaj Athinës zyrtare.
“Turqia është aktualisht në vendin e dytë për nga rritja. Kur thonë ‘turq të çmendur’, ata e dinë se turqit e çmendur vazhdojnë rrugën e tyre me zhvillime”, tha ai.
Me kërcënime të drejtpërdrejta, Erdogan sfidoi drejtpërdrejt sovranitetin grek mbi ishujt e Egjeut dhe pohoi se Ankaraja është e gatshme të bëjë gjithçka që është e nevojshme kur të vijë koha, duke bërë përsëri referenca për fatkeqësinë e Azisë së Vogël dhe 1922.
“Oh, shikoni historinë greke. Nëse shkon shumë larg, çmimi do të jetë i rëndë. Mos harroni Izmirin. Pushtimi i ishujve? Kur të vijë koha, ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Mund të vijmë papritur një natë. Sigurohuni që diku të presin ata që bllokuan përparimin e vendit tonë duke vënë pengesa nën rrota dje. Ne nuk do t’i lejojmë ata”, shtoi Erdogan.