Ballina Lajme Enkelejd Alibeaj jep dorëheqjen si kryetar në detyrë i PD-së

Enkelejd Alibeaj jep dorëheqjen si kryetar në detyrë i PD-së

0

Enkelejd Alibeaj, jep dorëheqjen si kryetar në detyrë i Partisë Demokratike, si dhe i grupit parlamentar demokrat. Shkak për të vendim është bërë rezultati i ulët që PD arriti në zgjedhjet vendore, ku nuk mundi të fitojë asnjë bashki.

Sipas Alibeajt, qëllimi dorëheqjes është që t’i hapë rrugën riorganzimit të PD-së, me qëllim fuqizimin e saj për zgjedhjet parlamentare të 2025.

“Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar. Partia duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, siç e kam theksuar vazhdimisht gjatë fushatës elektorale. Partia duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-en.

Ne do të duhet të kuptojmë se si t’u flasim jo vetëm demokratëve, por edhe atyre qytetarëve të zhgënjyer nga politika e 30 viteve, të cilët përbëjnë shumicën e heshtur në vend.

Këtë, megjithatë, nuk mund ta bëjë një njeri i vetëm – qoftë ky edhe drejtuesi. Unë po largohem për t’i hapur rrugën një drejtimi kolegjial të partisë, në këtë fazë që hedh themelet për të ardhmen“,- njoftoi Alibeaj.

Alibeaj ka bërë edhe një analizë së punës së tij prej më shumë se një viti si drejtues i Partisë Demokratike, në kohën më të vështirë të saj, kur është vënë në pikëpyetje mbijetesa e partisë që solli pluralizmin në Shqipëri, mbijetesa  e partisë së të djathtëve shqiptarë, mbijetesa e partisë perëndimore dhe euroatlantike.

Sipas tij, shifrat e proporcionalit tregojnë që Partia Demokratike arriti ta kalojë këtë sfidë, arriti të mbijetojë dhe tani mund të shohë drejt së ardhmes.

Zgjedhjet e 14 Majit sollën monizëm,pushteti – Rama i mbajti thuajse të gjitha bashkitë që katër vjet më parë i kishte marrë pa kundërshtarë. Para një viti, kur e prita në zyrë Sali Berishën, i thashë se më të në krye, demokratët nuk kanë asnjë shans të vijnë në pushtet. Prandaj nuk mund ta ndiqja. Prandaj nuk e ndoqa dhe zgjodha rrugën e qëndresës. Me këtë rast dua t’u shpreh konsideratën dhe mirënjohjen time të gjithë atyre demokratëve që e vendosën fatin e partisë, të familjes sonë politike, para llogarive dhe pazareve të ngushta e mediokre. Në kohë të vështira duhen njerëz me karakter të fortë. Këtë ju e keni dëshmuar. Zgjedhjet e 14 Majit, padyshim, patën probleme serioze: presione mbi administratën, përdorim të fortësh, përdorim oligarkësh, sistem elektronik difektoz etj. Por, para së gjithash, ne duhet të shohim nga vetja. Ne duhet të analizojmë me seriozitet efektet e përçarjes së Partisë Demokratike në rezultatin e zgjedhjeve. Ne duhet të vlerësojmë si duhet punën e bërë në terren nga strukturat e partisë, impenjimin e gjithësecilit, kontributin e gjithësecilit, për të kuptuar çfarë shkoi keq dhe çfarë shkoi si duhet. ‘- theksoi Alibeaj.

Alibeaj bën me dije se Kryesia do të mblidhet të premten në orën 12:00.

 

/rtsh.al/