Dhe pse kanë kaluar vite, Elida Sopoti në kujtesën e më të rriturve në qytetin e Fierit, vjen si aktorja simpatike dhe me një natyrë loje të veçantë në skenën e teatrit “Bylis” krahas emrave të dashur dhe të vlerësuar të artit skenik. Por ashtu si qindra e mijëra shqiptare dhe ajo mori rrugën e emigrimit, aktualisht në Greqi, ku ka krijuar familjen e saj.
Në fakt Elida nuk është një emigrante e thjeshtë që synon vetëm rehatinë personale. Me formimin e saj, me ndjeshmërinë ndaj realiteteve ajo në mënyrë graduale u bë një zë që vinte gjithmonë e në rritje në përkrahje të problematikave të emigrantëve shqiptarë, fierakëve të saj të dashur, por jo vetëm. Sot, ajo është kryetarja e shoqatës “Bashkimi i fierakëve në Greqi” që mban dhe emrin e lashtë “Apolonia”, shoqatë që kohët e fundit ka intensifikuar marrëdhëniet me bashkinë e Fierit me synimin e një të ardhme bashkëpunuese në drejtime të ndryshme. Pikërisht në këto takime të organizuara në Athinë ka ndodhur dhe kërkesa drejtuar kryetarit të bashkisë së Fierit Armando Subashi që duke qenë se po afronin zgjedhjet e pushtetit vendore për 14 majin, të shihej mundësia që në listën e këshillit bashkiak të përfshihej emri i Elida Sopotit për të pasur kështu dhe ata zërin e tyre përfaqësues, pavarësisht se jetojnë në emigrim. Kjo kërkesë tepër e veçantë është mirëpritur nga kryetari Subashi i cili pas konsultimeve me strukturat e socialistëve fierakë, i konfirmon Elidës të qenit pjesë e listës së anëtarëve të këshillit bashkiak që do të votohen në këto zgjedhje.
Duke bashkëbiseduar me Elidën rreth kësaj ngjarjeje ajo me emocion rrëfen për TV Kombin: “Si diçka që ndodh për herë të parë përfshirja ime si kandidate në listën e anëtarëve të këshillit bashkiak është pritur me mjaft entuziazëm gjë që reflektohet nga qindra komente pozitive me urimet më të mira. Por është edhe një përgjegjësi akoma më e madhe për mua pasi synoj që në këshillin bashkiak, dua që të jem zëri i tyre. Aktualisht në të gjithë Greqinë jemi një numër i konsiderueshëm emigrantësh, jemi 23 mijë fierakë, pra s’jemi pak. Të gjithë i kemi shërbyer Fierit, sekush me mënyrën e vetë, por më e rëndësishmja është pjesa financiare, pasi ne mërgimtarët si fillim, u larguam nga vendlindja, por lamë pas shpirtin, njerëzit tanë më të shtrenjtë dhe detyra jonë ishte që t’i ndihmonim, të paktën ekonomikisht.” thotë Elida.
Ajo shprehet me tone pozitive për bashkëpunimin mes bashkisë së Fierit dhe shoqatës që drejton, duke e cilësuar atë në rrugë të mbarë. Kryetarja e shoqatës Elida Sopoti flet për synimet dhe ambiciet e punës së saj pavarësisht vështirësive të emigracionit, si shoqatë kanë objektiva të qarta që lidhen me ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditave myzeqare me çdo çmim. “Nuk do t’i falej, brezit tonë që mos t’i transmetojmë brezit të dytë të gjitha ato tradita që kemi dhe që janë për t’u marrë në konsideratë dhe vlerësuar për vlerat që mbartin. Gjuha në radhë të parë meriton një vëmendje të shtuar dhe në këtë drejtim mendojmë të hapen kurse të gjuhës shqipe, duke i pajisur me tekste të shkollave. E vërteta është që punohet shumë dhe është punuar, vështirësitë dihen, por dhe ne duhet të punojmë më shumë me fëmijët, nipër e mbesa, që paralel me gjuhën greke, të flasim gjuhën amtare.”
Sopoti ndalet dhe në probleme të tjera që shqetësojë emigrantët si çështjet që kanë të bëjnë me pensionet, dokumentacionit pasi ende ka emigrantë edhe pse jetojnë prej shumë vitesh në Greqi nuk kanë leje qëndrimi. Ajo shprehet entuziaste pasi projektet e shoqatës “Apollonia” për këtë vit janë të larmishme, por vlerëson rëndësinë e bashkëpunimit mes tyre dhe bashkisë së Fierit për të pasur rezultate pozitive. Duke iu rikthyer sërish votimeve të 14 majit Elida Sopoti iu drejton një mesazh gjithë miqve, shokëve, emigrantëve fierakë që jetojnë e punojnë në Greqi: “Për gjithë emigrantët fierake, përcjell mesazhin, se çdo kush nga ne ka njerëzit e vete në Fier dhe fshatrat përreth.
Le të flasin me njerëzit e tyre e të votojnë për bijtë në emigrim që në këtë rast do të jenë të përfaqësuar në këshillin bashkiak nga unë, Elida Sopoti, që jam gjak i Myzeqesë sonë të dashur. Në këmbim të kësaj mbështetjeje me sinqeritet dhe dashuri ju premtoj kurdoherë punë dhe ndershmëri”
/Tv Kombi/