Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur në Memaliaj mesnatën e së shtunës (20 korrik), ku 3 persona mbetën të vrarë dhe një i katërt është plagosur rëndë, pas një atentati të mirëorganizuar ndaj dy vëllezërve Kalemi.
Viktima në këtë atentat mbetën Shyqyri Kalemi, 74 vjeç, Gledjon Muka, i cili punonte si kamarier në lokalin ku u qëllua dhe Marsel Çela, i cili ishte klient. Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur vëllai i Shyqyri Kalemi, Artur Kalemi 57 vjeç.
Po ashtu nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se autorët e krimit kanë lëvizur me një automjet tip BMW, me targa gjermane, ngjyrë e zezë, i cili u gjet i djegur në zonën e Mallakastrës, disa orë pas ngjarjes së rëndë.
Policia ka arritur që përmes kamerave të sigurisë të zbardhë të paktën itinerarin e lëvizjes së automjetit që kanë përdorur autorët. Gjithashtu në makinën e djegur janë gjetur armë zjarri që dyshohet se janë përdorur prej tyre.
Foto tregon automjetin rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes, pak sekonda para se autorët të qëllonin me breshëri. Dyshimet janë se krimi është realizuar nga vrasës me pagesë, edhe pse hetimet vijojnë për të zbardhur ngjarjen e rëndë. Policia është duke kërkuar në të paktën 4 qarqe mbi autorët e dyshuar të krimit që shkaktoi 3 viktima.
Dyshohet se objektiv i atentatorëve ka qenë Shyqyri Kalemi, i cili në momentin kur ndodhën të shtënat ishte me vëllain e tij në të njëjtën tavolinë në pjesën e jashtme të lokalit. Pranë tyre në atë moment ndodhej edhe kamerieri, ndërsa klienti që mbeti i vrarë, ishte në pjesën e brendshme të lokalit.
/rtsh.al/