Ministri i Ekonomisë dhe Finanacave Ervin Mete, mori pjesë këtë të premte në konferencën e organizuar nga FMN dhe Banka e Shqipërisë.
Në fjalën e tij Mete theksoi se ekonomia e vendit ka treguar një qëndrueshmëri të kënaqshme, duke patur një nga rikuperimet më të shpejta në rajon.
Ai shtoi se rritja ekonomike gjatë 6-mujorit të parë të 2023-shit ishte 3%, ndërkohë që ka pasur një rënie të papunësisë në nivelin e 10.7%
“Ekonomia e vendit ka treguar një qëndrueshmëri të kënaqshme përballë një seri goditjesh, duke patur një nga rikuperimet më të shpejta në nivel rajonal.
Fondamentet makroekonomike kanë rezultuar të qëndrueshme gjatë kësaj periudhe sfidash, sfida të cilat kanë shërbyer si sprovë ndaj aftësisë rezistuese dhe rikuperuese të ekonomisë. Kjo qëndrueshmëri është inkurajuese edhe për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare, si edhe për shëndetshmërinë e financave publike në vend.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2023, rritja ekonomike ishte 3%, me përshpejtim nga tremujori i parë në të dytin, ku konsumi dhe investimet patën rritje përkatësisht me 4.2% dhe 9.2% krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2022.
Sektorët që kanë udhëhequr rritjen ekonomike kanë qënë turizmi dhe ndërtimi, mbështetur nga rritja e kërkesës së brendshme. Në gjysmën e parë të vitit 2023, punësimi vijoi të forcohet, duke u rritur me 2.7% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që, shkalla e papunësisë vijoi tendencën rënëse të viteve të fundit, duke zbritur në 10.7%, një nga shifrat më të ulëta historike.
Të dhënat paraprake indirekte për tremujorin e tretë tregojnë për një ritëm më të shpejtë të rritjes ekonomike. Treguesit e ndjesisë ekonomike kanë arritur nivele të larta historike, pasiguritë janë zvogëluar, si dhe tregues të tjerë të konsumit dhe investimeve sugjerojnë përshpejtim të rritjes ekonomike.
Nisur nga kjo ecuri e mirë, ne kemi rishikuar për sipër projeksionet tona për rritjen reale të këtij viti, në 3.7%, nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar”, tha ministry.
Mete shtoi se në projektbuxhetin e vitit 2024 që pritet të miratohet në Këshillin e ministrave vijon mbështetja për reformën e pagave, si dhe mbështetja për turizimin dhe bujqësinë.
“Sot, në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave, do të miratojmë projektbuxhetin 2024, i cili vijon mbështetjen për reformën e pagave, në arsim, shëndetësi, forcat e rendit, të mbrojtjes dhe në sektorë të tjerë. Gjithashtu, projektbuxheti i vitit të ardhshëm mban në nivelin mbi 5% të PBB-së financimin e investimeve publike, jep mbështetje për zhvillimin e turizmit, si edhe vijon mbështetjen për fermerët dhe shtresat në nevojë”, tha Mete.