Kryeministri Edi Rama e ka pagëzuar projektit më të ri “Ekipet Sportive në Shkolla“, si një lëvizje të madhe sportive, nga e cila do të dalin kampionët e ardhshëm që do të ngrenë lart flamurin e Shqipërisë.
I pranishëm në ceremoninë e përurimit që u mbajt në ambientet e stadiumit “Air Albania”, kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij, nënvizoi se në këtë stadium, fjala më e bukur që mund të thuhet është Shqipëri.
Sipas tij, me këtë lëvizje të madhe sportive, e cila sapo ka nisur, me siguri do të dalin edhe ata kampionë që do të ngrenë lart flamurin e Shqipërisë, që do të nderojnë jo vetëm veten e prindërit, por mbarë kombin shqiptar.
“Kjo është një lëvizje për shëndetin, për mendjen e shëndoshë, për të kaluar së bashku orët e lira duke u argëtuar e duke garuar me njëri- tjetrin e në fund duke fituar”- u shpreh Rama në fjalën e tij përpara mijëra të rinjve të rejave që kishin mbushur stadiumin.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi faktin se tashmë kryeqyteti ka marrë stafetën si “Qyteti Evropian i Sportit”.
“S’kishte mënyrë më të bukur për ta mbyllur vitin si Tirana kryeqyteti “Evropian i Rinisë”. Tashmë Tirana, vitin që vjen, është edhe qyteti “Evropian i Sportit”, që do të jetë një vit shumë i bukur për çunat e gocat e Tiranës, por edhe të gjithë Shqipërisë”- u shpreh Veliaj.
/rtsh.al/