Ballina Lajme Dyshime se përdoren nga grupet kriminale, hiqen 31 kamera në qarkun e...

Dyshime se përdoren nga grupet kriminale, hiqen 31 kamera në qarkun e Korçës

2

Në bazë të urdhrit nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë për kontrollet e kamerave, të cilat janë vendosur në mënyrë të jashtëligjshme, edhe drejtoria  vendore e Policisë së Korçës është duke identifikuar rastet e shkeljes.

Mësohet se deri në këto momente janë hequr 31 kamera në qytetin e Korçës dhe atë të Pogradecit. Kontrollet do të vijojnë edhe në qytetet e tjera të juglindjes dhe nëpër fshatra.

Policia e Shtetit ka nisur verifikimin e kamerave të sigurisë që dyshohet se janë instaluar dhe përdoren nga grupet kriminale. Ky operacion është shtrirë edhe në Vlorë.

Aksioni vjen pasi në Shkodër u sekuestruan disa kamera që dyshohet se ishin instaluar nga grupet kriminale në lagjet “Guerrile”, “Salo Halili” dhe “Kongresi i Përmetit”.

Për gjetjen e personave që i kishin vendosur ato në këto zona, në polici janë shoqëruar disa persona, por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit.

Identifikimi i personave të cilët kanë vendosur këto kamera është një mision tejet i vështirë për policinë, pasi komandimi i tyre bëhej përmes celularit.

Sipas uniformave blu qëllim i instalimit të këtyre kamerave ishte sigurimi i informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë.