Ballina Lajme Dumani prezantohet para stafit: SPAK kalon në një fazë tjetër, luftë ndaj...

Dumani prezantohet para stafit: SPAK kalon në një fazë tjetër, luftë ndaj korrupsionit të zyrtarëve dhe krimit të organizuar

1

Kreu i SPAK Altin Dumani është prezantuar këtë të hënë para stafit. Në fjalën e tij, Dumani ka deklaruar se në fokus të punës së tij në krye të SPAK do të jetë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Më tej, teksa ka falënderuar ish-kreun e SPAK, Dumani theksoi se falë Arben Krajas tashmë ka një prokurori funksionale me bilanc pozitiv.

Dumani ju ka bërë thirrje hetuesve se zyra e drejtuesve do të jetë gjithnjë hapur, ndërsa nxiti stafin që të demonstrojnë se janë të aftë kundër çdo shkelës ligji.

Besimin që më dhatë do ta përdor në funksion për tu përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Një falënderim të veçantë kam për Arben Krajën. Të gjithë e dimë se sa e vështirë është që të ndërtosh një shtëpi të re nga themeli dhe sot falë kontributit tuaj të çmuar, ne kemi një prokurori funksionale që ka dhënë bilance pozitive. Kanë qenë 3 vite të vështira. Pas këtyre tre viteve SPAK kalon në një fazë tjetër, luftën ndaj korrupsionit të zyrtarëve të çdo niveli dhe krimit të organizuar. Inkurajoj dhe nxis secilin prej jush duke punuar në grup të jemi të aftë të procedojmë çdo shkelës ligji”, tha Dumani.

Dumani u zgjodh më 16 dhjetor në krye të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit me 5 vota pro nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Përballë Dumanit për kreun e SPAK ishin prokurorët Edvin Kondili, i cili mori 4 vota dhe Adnan Xholi mori vetëm 1 votë nga KLP.

Dumani do të ketë një mandat 3-vjeçar në krye të SPAK pa të drejtë rizgjedhje. Dumani zëvendëson në këtë detyrë Arbën Krajën, të cilit i mbaroi mandati.

/rtsh.al/