Ballina Lajme Drejtësia në “duart” e Gardës, përveç prokurorëve të SPAK, do të merren...

Drejtësia në “duart” e Gardës, përveç prokurorëve të SPAK, do të merren në mbrojtje edhe gjyqtarët

14

Garda e Republikës do të marrë në ruajtje dhe në mbrojtje jo vetëm kreun e SPAK, kreun e Gjykatës Antikorrupsion, por edhe çdo gjyqtar dhe prokuror të posaçëm që heton krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në këtë përfundim ka dalë grupi që po shqyrton masat e sigurisë, pasi u zbulua plani për të vrarë prokuroren e posaçme Doloreza Musabelliu dhe prokuroren Merita Selimi.

Në propozimet që pritet të ndryshojnë vendimin e Këshillit të Ministrave të 2019 për ruajtjen e njerëzve që hetojnë krimin e organizuar dhe të korruptuarit, përfshihet edhe ruajtja e tyre dy vjet mbasi mbyllin këtë mandat. Megjithatë veç pjesës me forca të dukshme, barra kryesore do t’i bjerë atyre agjentëve që merren me informacionin, që në rastin e prokurores së SPAK Doloreza Musabelliu u sinjalizua nga një anëtar grupi kriminal,  kthyer në të penduar.

Por, nëse agjencitë e sigurisë në vend janë vendosur në alarm dhe po ndryshojnë qasje për mbrojtjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve nisur vetëm nga rrëfimi i një bashkëpunëtori drejtësie, apo ka edhe të dhëna të tjera, kjo do të mësohet kur dosjet e tjera të SPAK të bëhen publike. Në rekomandimet e reja mbetet i pandryshuar eskortimi i prokurorëve të rrezikuar si dhe përdorimi i sallës VIP në aeroport për prokurorët dhe gjyqtarët jo vetëm për vizitat zyrtare por edhe shërbimet.

Që takimin e dytë me dyer të mbyllura ku kanë marrë pjesë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm, kreu i Gardës, kryeprokurori Altin Dumani është sugjeruar po ashtu që veç gardës, godina e SPAK të ruhet dhe nga Policia e Shtetit.

Diskutimet për rikthimin e policisë së bashku me gardën që ruan personalitetet shtetërore, ndodh  në të njëjtën kohë kur edhe drejtoria e përgjithshme e policisë së burgjeve ka vendosur të shtojë grupin special që eskorton të paraburgosurit, nën gjykim nga kjo gjykatë. Njëherazi burgjet kanë kërkuar futjen në 41 biss të 6 të burgosurve të konsideruar jo vetëm të rrezikshëm por ende aktivë në krimin e organizuar.