Ballina Lajme Dosja hetimore italiane: Malaj goditi me qëllim të qartë vrastar, qëlloi vajzën...

Dosja hetimore italiane: Malaj goditi me qëllim të qartë vrastar, qëlloi vajzën 4 herë

1

Provat kundër 45-vjeçarit Taulant Malaj që vrau vajzën e tij 16-vjeç dhe të dashurin e dyshuar të gruas së tij, 51-vjeçarin Massimo De Santis, janë bazuar tek videot e kamerave të vendosura në shtëpi.

Kamerat kanë filmuar skenat në të cilat burri godiste vazhdimisht gruan dhe vajzën e tij me një vullnet të qartë “vrastar”, thonë mediat italiane.

Sa i përket vrasjes së Xhesikës, vetëm 16 vjeçe, e cila me guxim u përpoq në çdo mënyrë dhe deri në fund për të mbrojtur nënën e saj nga agresioni brutal i të atit, rezulton se goditjet i janë shkaktuar edhe asaj vullnetarisht, jo vetëm kur ndërhyri për herë të parë në dhomën e gjumit, por edhe kur agresioni vijoi në sallon.

Në dokumentacion shkruhej se në trupin e Xhesikës u gjetën “katër plagë me thikë në gjoks, në vendin e organeve vitale”.

“Në të njëjtën mënyrë, mund të shohim kokëfortësinë me të cilën ai sulmon gruan e tij duke e befasuar në mes të natës teksa ajo është në shtrat, duke shkaktuar plagë të shumta me thikë edhe në pjesën e sipërme të trupit”, thotë gjykatësi.

E gjithë kjo, thekson gjyqtari hetues ka ndodhur nën sytë e djalit të vogël të çiftit.

Sipas hetuesve “metodat brutale të realizimit të fakteve tregojnë tek i dyshuari një pandjeshmëri absolute ndaj jetës njerëzore dhe një prirje të përbashkët për krime, si mjet për të vërtetuar bindjet e tij dhe rolin e tij në të gjithë familjen”.

Mes të shtunës dhe të dielës, pasi vrau Massimo De Santis, për të cilin besonte se ishte i dashuri i gruas së tij, Malaj u ka rrëfyer hetuesve ngjarjen e ndodhur.

“Hyra në dhomën e gjumit në të cilën ndodhej gruaja ime, e godita dhe ndërkohë hyri Xhesika, duke dashur ta mbronte nënën e saj. Kështu që unë godita edhe Xhesikën dhe e vrava. As që e kuptova se ishte ajo. Fatkeqësisht, Xhesika e gjeti veten në kohën e gabuar. Të dyja u larguan nga shtrati për në kuzhinë, ku unë vazhdova t’i godisja”, tha Malaj.

Malaj përdori në krimin e ndodhur një thikë të gjatë 18 cm.

Gruaja e vrasësit, Tefta Malaj, e cila i mbijetoi atentatit pasi mbrohej nga Xhesika, ka telefonuar për ndihmë dhe kur operatori e ka pyetur nëse ishte goditur me thikë, në pamundësi për tu përgjigjur ajo ka thënë: “vajza ime, vajza ime”./Opinion.al