Ballina Lajme ‘Do paguajnë gjobë’, Rama i prerë: Askush nuk do gëzojë 1 m2...

‘Do paguajnë gjobë’, Rama i prerë: Askush nuk do gëzojë 1 m2 pa leje

1

Kryeministri Edi Rama deklaron se nuk do të ketë tolerime për ndërtimet pa leje.

Në konferencën për Bilacin Vjetor të Turizmit, Rama deklaroi se aksioni që ka nisur është shumë serioz dhe askush nuk ka për të gëzuar 1 metër katror që ka përfituar jashtë lejes.

“Ne do ta shtrëngojmë akoma më shumë politikën kundër ndërtimeve pa leje, apo shkeljeve të lejeve të ndërtimit. Ajo që kemi nisur është shumë serioze dhe nuk do të ndalet; dhe askush nuk ka për ta gëzuar 1 metër katror që ka përfituar jashtë lejes. Do ta zgjedhin vetë se çfarë do të bëjnë, do t’i dhurojnë, do t’i blejnë me çmimin e tregut plus të indeksuar, se gjobën do ta paguajnë, apo do ju konfiskohen fare. Aspektet penale të çështjes, ato janë punët e tyre me drejtësinë”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se ende ka ndërtime pa leje, por janë në numër më të paktë se në të shkuarën.

“Akoma kemi probleme me ndërtimet, kemi më pak ndërtime pa leje, por kemi shumë ndërtime me leje që respektojnë lejen në volume, por jo në aspektin e arkitekturës, të cilësisë e kështu me radhë”, u shpreh më tej Rama.