Pas shërbimit në një klinikë dentare, një 3-vjeçar humbi jetën tre ditë pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për mjekimin e dhëmbëve në një klinikë private.
Sipas dajës së 3-vjeçarit, djali ka dalë në gjendje të rënduar pas ndërhyrjes së gjatë kirurgjikale dhe infermierët kanë qetësuar familjarët duke u thënë se është gjendja e tij është normale.
“Prej gjashtë muajsh djali shfaqte shqetësime me dhëmbët, kishte shumë dhimbje. Pyetëm kudo mjekë dhe stomatologë për t’ja trajtuar dhe na rekomanduan Roland Xhaxhon si më të mirin.
Shkuam dy herë, u konsultuam dhe dentisti na siguroi që nuk do të kishim asnjë problem. Lamë takimin dhe e dërguam djalin rreth orës 10, i bënë analizat dhe më pas i bënë anestezinë dhe e vunë në gjumë. Ai ka trajtuar 14 dhëmbë atë ditë dhe fëmija nuk po dilje as në orën 12 dhe dentisti doli në orën 15:00 dhe në orën 20:10 e morëm djalin. Ngjarja ka ndodhur në datën 28.
Djalin e morëm në gjendje të rënduar, vetëm njëherë i hapi sytë, infermierët na thanë që është më se normale që të ishte në këtë gjendje për shkak të narkozës. Ne nuk marrim vesh dhe iu besuam. E sollëm djalin në shtëpi dhe na dhanë një ilaç, na thanë që mund të kishte pak temperaturë”, tha daja i vogëlushit për Report Tv.
Ndërsa gjendja e 3-vjeçarit është rënduar pasi ka mbërritur në shtëpi, familjarët e shqetësuar e kanë dërguar në spital, ku ka humbur më pas jetën pas 2 ditëve qëndrimi në reanimacion.
“Atë ditë ishte me 38 dhe e dërguam në urgjencë te Pediatria dhe në reanimacion qëndroi dy ditë. Mjekët atje bënë të pamundurën. Problemi është se ai e ka nxjerrë djalin në gjendje kome dhe ata nuk na treguan. Në spital na thanë se nëse do e kishit sjellë më herët do të kishte shpëtuar. Pra ai ka bërë një krim dhe është munduar ta mbulojë”, është shprehur daja i djalit për Report Tv.