Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e dytë të vizitës zyrtare 4-ditore në Japoni, me një takim me drejtuesin e kompanisë të teknologjisë së lartë “Sumitomo Electric”. Kreu i qeverisë bën me dije se kompania me 1200 punonjës në Shqipëri, ka si objektiv, hapjen e 1 mijë vendeve të reja pune.
“Mirëmëngjes dhe me ditën e dytë të vizitës zyrtare në Japoni, që nisi me takimin me drejtuesin e kompanisë të teknologjisë së lartë “Sumitomo Electric”, me 400 filiale në botë në elektronikë, infokomunikacion, mjedis, energji, si edhe 1200 punonjës në Shqipëri, ku objektivi është të hapen edhe 1000 vende të reja pune, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri Rama në rrjetin social Facebook, teksa ndan dhe pamje nga takimi.
Në ditën e parë të vizitës zyrtare, Rama zhvilloi takim me Agjencinë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Kryetarin e Federatës Japoneze të Biznesit dhe një përfaqësi nga sektorë të ndryshëm ekonomikë.
Në këtë vizitë zyrtare 4-ditore në Japoni, kryeministri Rama shoqërohet nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimi.
Vizita zyrtare 4-ditore e Kryeministrit në Japoni, vjen në kuadër të 42-vjetorit të vendosjes zyrtare të Marrëdhënieve Diplomatike mes dy vendeve.
Dy vendet ndajnë interesa të përbashkëta lidhur me kujdesin shëndetësor dhe social, parandalimin e fatkeqësive, si dhe mbrojtjen e mjedisit. Shqipëria dhe Japonia ndajnë vullnetin për të zhvilluar më tej interesat e përbashkëta, duke rritur shkëmbimet kulturore, veçanërisht në fushën e turizmit dhe duke thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Viti 2022 shënoi 100 vjetorin e marrëdhënieve të miqësisë mes Shqipërisë dhe Japonisë.
/rtsh.al/