Tre makina me targa kosovare janë djegur pak pas mesnatës në veri të Kosovës. Policia bën me dije se pas ngjarjes së 30 marsit, ku u dogjën dy makina, këtë të premte (31 mars), janë djegur dhe 3 automjete të tjera me targa kosovare, të cilat iu përkasin qytetarëve me nacionalitet serb.
Policia sqaron se automjetet kanë qenë të parkuara, njëra në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, tjetra në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veri, si dhe e treta në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veri.
“Me 31 mars 2023 pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur janë djegur edhe tri vetura që iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, të cilat kanë qenë të parkuara njëra në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, tjetra në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veri, si dhe e treta në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veri. Pas dy veturave të djegura me datën 30.03.2023 në veri të vendit, pas mesnatës së datës 31.03.2023, iu është vënë zjarri edhe tri veturave të tjera, të cilat iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, e të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS)”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ngjarja ka ngjallur reagimin e shefit të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili ka dënuar ashpër ngjarjen dhe u ka bërë thirrje organeve ligjzbatuese që të identifikojnë dhe dënojnë autorët.
“Dënojmë ashpër djegien e automjeteve të ri-regjistruara së fundmi në targa të Kosovës në veri të Kosovës. Shkatërrimi i pronës private, që ka ndodhur në dy ditët e fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale është i mjerueshëm dhe i papranueshëm dhe duhet dënuar nga të gjithë aktorët përkatës. I bëj thirrje agjencive të zbatimit të ligjit që të identifikojnë dhe ndjekin me shpejtësi përgjegjësit”, ka shkruar ambasadori i BE-së në Twitter.
/rtsh.al/