Ballina Lajme Detaje të reja nga atentati në Kurbin, Autorët u prezantuan si policë,...

Detaje të reja nga atentati në Kurbin, Autorët u prezantuan si policë, pistat ku po hetohet ngjarja

11

Janë zbardhur detaje të reja nga atentati i ndodhur mëngjesin e sotëm në Kurbin. Pronari i firmës ku ndodhi atentati, Ardian Gjeloshi ka deklaruar se autorët janë prezantuar si polic në momentin që janë futur brenda objektit po ashtu dhe rojës, i cili ka qenë prezent.

Më pas kanë qëlluar drejt Gjeloshit dhe Selman Mihanes, i cili mbeti dhe viktimë e këtij atentati. Dyshohet se kanë qenë dy makina që janë përdorur në këtë atentat dhe dyshohet gjithashtu se njëra makinë ‘Range Rover’ është vjedhur disa kohë më parë në një karburant në autostradën Lezhë-Laç.

Ndërkohë raportohet se tre janë pistat ku po heton prokuroria për zbardhjen e atentatit që kishte në shënjestër Ardian Gjeloshin. Pista e parë ka të bëjë me konfliktet në lidhje me biznesin me pjesëtarë të një fisi nga Pllane. Si pistë e dytë po heton atë të hakmarrjes, pasi në 2002 është shënuar një ngjarje e rëndë ku autorë të dyshuar ishin Ardian Gjeloshi dhe vëllai i tij, Dritan Gjeloshi. Asokohe autorët qëlluan mbi një kamionçinë dhe lanë të vrarë Marie Prengen, infermiere, nënë e 4 fëmijëve, ndërsa u plagos oficeri i FNSh Kastriot Prenga, Gjergj e Vitore Prenga. Pista e tretë lidhet me plagosjen e djalit të Ardian Gjeloshaj.