Ballina Lajme Dënohet me dy vite burg ish-gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

Dënohet me dy vite burg ish-gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

1

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, për ish-gjyqtaren Enkelejda Hoxha.  Hoxha është dënuar përfundimisht me 2 vite burgim, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Vendimi është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Saida Dollani (anëtare) dhe Igerta Hysi (anëtare).

Ish-gjyqtarja është shpallur fajtore për korrupsion pasi nga përgjimet doli se lironte persona me rekorde të rënda kriminale nga qelia kundrejt ryshfetit.  Po ashtu Hoxha është dënuar me 5 vite përjashtim nga funksionet publike.

Ndërkaq, avokati Aldo Tabaku u dënua me 4 vite burg. Ai luante rolin e  sekserit për të ndikuar te gjyqtarja për lehtësuar dhe liruar nga burgu të “fortët”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar do të kryejë 2.8 vite burg.

Mes të dënuarve janë edhe sekretarja e Gjykatës, Emanuela Mallkuçi e dënuar me 2 vite burg . Ndërsa Saimir Petani dhe Bledar Petani janë dënuar secili me 2.6 vite burg nga të cilat do të kryejnë 1.8 vite burg. Ata ishin të afërmit e të dënuarit që kishin futur avokatin mik tek gjyqtarja për ta liruar nga burgu.

Hoxha u arrestua në shkurt të vitit 2021 bashkë me 9 persona të tjerë, pas dyshimeve se përfitonte ryshfet nga 6-12 mijë euro për uljen e dënimit të të dënuarve të burgut të Fushë-Krujës, nga ku janë liruar para kohe edhe emra të njohur të drejtësisë si: Endrit Dokle, Hekuran Billa e Ilir Paja.