Policia e Gramshit bëri të ditur se ka pezulluar nga detyra një efektiv policie, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”. Gjykata e Elbasanit ka dhënë sot masën e sigurisë për punonjësin e policisë, Ilirjan Braçja, duke e pezulluar atë nga detyra, pasi dyshohet se jo vetëm ka qenë në dijeni të automjeteve me lëndë druri që priteshin në mënyrë të paligjshme, por edhe dekonspironte operacionet policore të kryera nga kolegët.
Ai nuk është mjaftuar me kaq, por i udhëzonte subjektet dhe se ku t’i fshihnin automjetet me lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme gjatë operacioneve policore të kryera nga efektivët e Komisariatit të Policisë Gramsh.
“Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Elbasan-Korçë ka ekzekutuar sot vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë Inspektor I. B., me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Gramsh, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”.”- thuhet në njoftim.
Sipas policisë, nga hetimet e kryera nga AMP, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, rezulton se punonjësi i mësipërm ka qenë në dijeni të faktit të paligjshmërisë së shtetasve N. T. dhe Z. T., të cilët i ka orjentuar që t’i shmangen kontrolleveve të policisë duke spostuar shërbimet gjatë kohës që është në detyrë.
“Gjithashtu, ai i ka orjentuar këto subjekte t’i fshehin automjetet e tyre me lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme gjatë operacioneve policore të kryera nga efektivët e tjerë të Komisariatit të Policisë Gramsh, duke dekonspiruar kolegët e tij gjatë kryerjes së detyrës. Hetimet në lidhje me këtë procedim penal vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë paligjshmëri.”- njofton policia.
/rtsh.al/