Ballina Lajme Politike Debate në Kuvend për Portin e Durrësit, Alibeaj: Aferë ekonomike! Rama: Të...

Debate në Kuvend për Portin e Durrësit, Alibeaj: Aferë ekonomike! Rama: Të pafytyrë, morët para ruse për të rrëzuar qeverinë

1

Kërkesa e PS për të kaluar me procedurë të përshpejtuar ligjin për Portin e Durrësit ka shkaktuar debate të ashpra në Kuvend mes maxhorancës dhe opozitës.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj e konsideroi projektin si “aferë ekonomike” me vlerë mbi 2 mld euro që shumë shpejt mund të kthehet në një aferë korruptive. Ai kërkoi më shumë transparencë nga qeveria në lidhje me këtë projekt.

Sot, teksa do të duhej të diskutojmë buxhetin, sillni me procedurë të përshpejtuar ligjin për portin e Durrësit. Kjo do të thotë ta fusësh sot në kalendar të punimeve dhe pas 2 javësh të miratohet. Arsyeja që ju shtyn ju për të ecur shpejt është sepse ky ligj është ligji që kushton më shumë në historinë 30-vjeçare të këtij Kuvendi, 2 mld e 100 mln euro është kostoja e këtij ligji me 5 nene, 400 mln një nen dhe ju doni ta kaloni me procedurë të përshpejtuar, ta kaloni fshehurazi. Jeni duke prerë shiritin e një afere ekonomike që mund të kthehet shumë shpejt në aferë korruptive. Është një aferë ekonomike, 2 mld e 100 mln euro. Hiqni dorë nga kjo procedurë e përshpejtuar, bëni transparente gjithçka”, tha Alibeaj.

E ashpër ishte përgjigjja e kryeministrit Edi Rama, i cili atakoi opozitën si “të pafytyrë”, duke i akuzuar se kanë marrë para nga Rusia për të rrezuar qeverinë. Sipas Ramës, Porti i Durrësit është një investim që nuk mund të imagjinohej më parë në Shqipëri dhe që do ta shndërrojë qytetin bregdetar në një nga pikat më të rëndësishme turistike në Mesdhe.

Këtu te ne po bëhet një investim që nuk është imagjinuar ndonjëherë që e transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme turistike në Mesdhe. Këtu thjesht u fut me procedurë të përshpejtuar një projektligj që do mbajë kohën e duhur për diskutim. Është një kontratë ku Shteti Shqiptar merr pjesë me aksione, por ju jeni të mbaruar, njerëz pa fytyrë që nuk keni Atdhe sepse çoheni këtu që në pikë të sabahut dhe akuzoni për Pazar e aferë një kompani nga më të mëdhatë e botës, në vend që të thoni shyqyr që vijnë në Shqipëri, por ju jeni të pafe. Mos bërtit ti gjeldeti i Peqinit sepse po të kishit ju fytyrë, nuk i bënit Shqipërisë atë që i keni bërë. Jeni paguar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë. Jeni ca njerëz që nuk keni as sy për të parë, ju kanë tërhequr prej hunde. Nuk dini se çfarë flisni. Hajde më thoni se për çfarë arsye paratë ruse duhej të derdheshin në Shqipëri për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj”, tha Rama.

/rtsh.al/