Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në një palestër në jug të Peskarës, ku një 21-vjeçare është sulmuar me shqelma dhe grushte nga një 50-vjeçar shqiptar.
E reja që u dhunua ka përfunduar me trauma dhe plagë, duke u dërguar me urgjencë në spitalin “Santo Spirito”, ndërsa mediat italiane raportojnë se ajo nuk ka bërë ende një denoncim në polici pasi është “shumë e frikësuar” nga çfarë i ka ndodhur.
Episodi i rëndë i dhunës është regjistruar rreth orës 15:30 të së enjtes së 28 korrikut dhe është filmuar nga kamerat e sigurisë brenda palestrës.
Fillimisht, shqiptari, i cili kishte punuar si oficer i sigurisë në disa klube nate në bregdetin e Peskarës, e godet krejt papritur me grusht në fytyrë të renë që ishte duke ngritur pesha në një stol pranë tij.
Ende është e paqartë se çfarë e ka shtyrë 50-vjeçarin të shpërthej me tërbim ndaj vajzës, por një dëshmitar ka deklaruar se ai ka tentuar madje të përdorë girat për ta goditur atë.https://www.youtube.com/embed/NCotn3kBUnA?feature=oembed
“Në palestër nuk ishin më shumë se dhjetë veta dhe në fakt nuk kishte shumë njerëz rreth tyre”, tha dëshmitari, duke shtuar më tej se 50-vjeçari e ka goditur më pas vazhdimisht të renë derisa ajo ra në tokë.
Më pas një klient i palestrës ndërhyri dhe e largoi burrin pak para se ai të tentonte të hidhte në drejtim të saj disa gira me pesha të rënda.
E reja më pas ka arritur të reagojë dhe ka kërkuar strehë në kuzhinën pas lokalit të palestrës, por është ndjekur dhe është kapur sërish nga agresori shqiptar, i cili është ndalur vetëm nga ndërhyrja e personave të tjerë të pranishëm.
Karabinierët kanë ndërhyrë më pas për të bërë edhe shoqërimin e 50-vjeçarit, ndërsa pronari i palestrës bëri një denoncim pasi viktima është ende “shumë e frikësuar” për ta bërë vetë diçka të tillë.