Ballina Kulture Çlirimi i qytetit gjallëron jetën artistike dhe kulturore të Fierit.Larmi aktivitetesh...

Çlirimi i qytetit gjallëron jetën artistike dhe kulturore të Fierit.Larmi aktivitetesh dhe emocionesh.Artistët më të dashur fierak ndezin atmosferën në teatrin “Bylis”

3

Ndizet atmosfera e gëzimit në qytetin e Fierit

Ka qenë tepër e nxehtë atmosfera në qytetin e Fierit gjatë ditës së 15 tetorit, e cila shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së qytetit tonë, atë të çlirimit.

Përpos aktiviteteve kushtuar kësaj dite, mbrëmja do të përjetonte një tjetër atmosferë në sallën e teatrit “Bylis” me tingujt e zërave të këngëtarëve, veshjeve karakteristike fierake, interpretim virtuoz të orkestrës. Pikërisht në këtë mbrëmje në skenën e teatrit “Bylis” është ngjitur këngëtarja e mirënjohur dhe e dashur nga publiku fierak, këngëtarja Bruna Sota që do të realizonte enkas në këtë qytet koncertin e saj recital, pikërisht në këtë skenë ku ajo nisi dhe rrugën e saj si artiste.

Jeta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ia fashitën kujtimet dhe tingujt e këngës qytetare fierake, përkundrazi u shndërruan në një mall dhe dashuri akoma dhe më të madhe. E shoqëruar nga bashkëshorti i saj, i mirënjohuri në sferën e interpretimit, muzikanti Ferit Hoxha i cili ka realizuar dhe orkestrimin e materialeve muzikore të prezantuar në këtë koncert recital të shoqëruar nga orekstrantët e qytetit të Fierit.

Dhe nuk kishte si të mos ndodhte që gëzimi të ngrihej në tonalitete më të larta pasi si dikur së bashku ajo do të ishte në skenë me kolegët e saj, artistët më të njohur fierak të “Ansamblit Myzeqeja” në sallën e teatrit “Bylis”.

Një grup që ka falur kurdoherë buzëqeshje tek spektatori u bë gati me dëshirën më të mirë dhe përveç tingujve magjisë së këngës qytetare fierake, në sallë do të shpërthente humori i artistëve fierakë si: Arqile Lipe, Todi Llupi. Vlen të përmendet se Fieri vazhdon të ruajë nivele të larta të interpretimit dhe të orkestrantëve duke krijuar kështu bërthamën më të mirë me emrat e tyre.

Por kjo ishte fillesa e një jave kulturore e cila do të vërshojë në ditët në vijim në sallën e teatrit “Bylis” me të tjera evente duke gjallëruar kështu jetën artistike-kulturore të këtij qyteti.

Dy ditët e para të javës së re, e hëna dhe e marta, nisin me komedinë “Vdis duke qeshur”, një komedi tashmë e shumëpritur nga spektatorët kudo në Shqipëri, për të marrë patjetër dhe duartrokitjet e artistëve fierakë ,aq shumë të mësuar dhe të dashuruar pas humorit.

Ata do të shijojnë lojën e të mrekullueshmeve Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku etj., me regji të të mirënjohurit Ilir Bokshi. Ndërsa galeria e artit “Vilson Kilica” do të ketë sërish të pranishëm një tjetër mysafir artist të pikturës Anastas Kostandini. Ai që njihet me emrin Taso është një piktor, mozaist, vizatues, grafist, ilustrator i mirënjohur shqiptar. Ai ka lindur në qytetin e Pogradecit dhe ndoshta liqeni ka frymëzuar genin artistik të tij.

Ai është një nga bashke autoret e mozaikut “ Shqipëria” në fasadën e Muzeut Kombëtar Historik në Tiranë.

Por jeta artistike në këtë periudhë nuk do të ndalet këtu. Për kënaqësinë e spektatorit fierak do të jetë i pranishëm këngëtari me origjinë fierake Ermal Meta. Tashme Ermal Meta është një këngëtar i mirënjohur në skenat botërore kur me dashamirësi ka pohuar prejardhjen e tij shqiptare duke hedhur urat e bashkëpunimit me vendin ku ka marrë duartrokitjet e para në skenën fierake.

Këto janë vetëm fillesat e aktiviteteve të cilat do të gjallërojnë dhe muajin nëntor që njihet si muaji i festave të mëdha. Këto aktivitete zhvillohen në kuadër të përmbushjeve të objektivave të bashkisë së Fierit në drejtim të edukimit dhe pasurimit të jetës së këtij qyteti.Tv Kombi