Ish-kryeministri Berisha i ka kërkuar kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe mazhorancës që të lejojnë ngritjen e Komisionit Hetimor për të shqyrtuar çështjen “Rama-McGonigal”.
Sipas Berishës, mazhoranca po shkel Kushtetutën ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama si të përfshirë sipas tij, në një nga skandalet më të mëdha të ndodhura ndonjëherë midis Shteteve të Bashkuara dhe Amerikës.
“Po lexoj një nen të rregullores dhe po e shkelni me këmbë një nen të Kushtetutës të Shqipërisë, që detyron parlamentin të ngrejë komisionet hetimore pasi firmosin një e katërta e deputetëve. Deputetët po ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për një nga aferat më tronditëse të kohës, implikimin direkt të kreut tuaj në rekrutimin, korruptimin e kryeagjentit të FBI si vrasës me pagesë kundër opozitës shqiptare. Veprimtaria Rama-McGonigal, antiligjore në të dy vendet, ka degëzime shumë të mëdha në Tiranë. Janë një seri çështjesh që duhet të marrin përgjigje nga komisioni hetimor parlamentar”, u shpreh Berisha.
Berisha theksoi më tej se me aferën “McGonigal” kemi të bëjmë me një grup mafioz që përdori pushtetin e FBI-së për të goditur opozitën dhe gjobitur biznesmenët shqiptarë.
“Kurrë Shqipëria nuk mund të kapërcejë këtë problem të tmerrshëm të krijuar nga një njeri që nuk ka asnjë ligj, normë apo Kushtetutë përveç interesave të tij personale. Kemi të bëjmë me një nga aktet më antikushtetuese, ku përdoren të gjitha mjetet për shkatërrimin e opozitës. Kemi të bëjmë me një grup mafioz që përdori pushtetin e FBI dhe të qeverisë për të gjobitur biznesmenë në rrugët e Tiranës dhe Durrësit”, theksoi Berisha.
/rtsh.al/