Ballina Lajme Celibashi nuk regjistroi PD në zgjedhjet e 14 majit, KAS hedh shortin,...

Celibashi nuk regjistroi PD në zgjedhjet e 14 majit, KAS hedh shortin, ankesa në dorë të relatorit Koli Bele

1

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve hodhi sot (15 mars) shortin për caktimin e relatorit për ankimimin e Partisë Demokratike Shqiptare e cila ankimoi vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi për mosregjistrimin e PD-së në zgjedhjet e 14 majit.

Shorti caktoi Koli Bele si relator që do të marrë në shqyrtim ankesën e Partisë Demokratike Shqiptare.

PD kërkon në KAS shfuqizimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi si dhe regjistrimin si subjekt zgjedhor të “Partisë Demokratike të Shqipërisë sipas kërkesës së bërë me dokumentacionin shoqërues të saj, dhe të protokolluar në KQZ në datën 06.03.2023 në emër të Partisë Demokratike nga përfaqësuesi, Indrit Sefa.

Kryeminisioneri vendosi më 14 mars të mosregjistrojë PD-në në zgjedhje, për faktin se aktet, “deklarata solemne” duhet firmosur nga kryetari i dorëhequr Lulzim Basha, pasi ende përfaqëson PD-në juridikisht.

Por PD pretendon se vendimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve është në kundërshtim me ligjin, pasi në zbatim të detyrimeve ligjore si dhe të dispozitave të përcaktuara në Kodin Zgjedhore, brenda afatit ligjor të përcaktuar (jo më vonë se 70 ditë para datës së zhvillimit të këtyre zgjedhjeve), PD ka paraqitur kërkesën, për regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë si subjekt zgjedhor dhe dërgimin e dokumentacionit shoqërues të nevojshëm për regjistrimin në zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023.

Kryetari në detyrë i PD-së, Enkelejd Alibeaj e quajti dje vendimin e KQZ të paralajmëruar dhe “qartas i ndikuar politikisht nga aktorët politikë të interesuar që PD të mos regjistrohet në procesin e zgjedhjeve vendore të 14 majit.”

Ndërkaq, KAS do të zhvillojë sot shqyrtimin paraprak për elementët e formës dhe të përmbajtjes së kërkeses ankimore të PD-së.

/rtsh.al/