Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, nëpërmjet një shkrese drejtuar të gjitha bashkive në vend, ka kërkuar që, brenda 2 ditëve, ato të përcaktojnë vendet publike për afishimin e materialeve propogandistike të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, të subjekteve zgjedhore.
Në këtë shkresë, Celibashi nënvizon se për këtë kërkesë janë marrë në konsideratë edhe denoncimet që janë adresuar në KQZ, që lidhen me përcaktimin e këtyre vendeve nga ana e bashkive.
“Brenda 2 ditësh nga marrja e kësaj shkrese, ju lutem dërgoni në KQZ listën e vendeve të lejuara për afishimin e materialeve propogandistike për fushatën zgjedhore. Kjo listë dhe vendimi përkatës për caktimin e këtyre vendeve, duhet të publikohet menjëherë në faqen elektronike të institucionit tuaj”- thuhet në shkresën e Komisionerit Shtetëror, Celibashi.
KQZ u kërkon bashkive që të marrin masa të menjëhershme edhe për të hequr materialet propogandistike të subjekteve zgjedhore nga fushata zgjedhore e mëparshme.
/rtsh.al/