77-vjeçari Shefki Bylykbashit është lënë në burg për vrasjen e djalit të tij me çekiç. Ngjarja e rëndë ndodhi në Maliq, ku babai vrau të birin Hamdi Bylykbashin, 50 vjeç, sipas tij në kushtet e vetëmbrojtjes. 77-vjeçari u shfaq sot (20 shkurt) para gjykatës në kushte të rënduar psikologjike.
Edhe avokati i tij, Nevzat Tarelli tha se ngjarja ka ndodhur për vetëmbrojtje, pasi 50-vjeçari ushtronte dhunë sistematike ndaj të atit, nën efektin e alkoolit.
“Masën e sigurimit ‘arrest me burg’. Vrasje në rrethana familjare. Ka dyshime se mund të jemi në kushte të vrasjes për vetëmbrojtje apo të tronditjes së forta psiqike për shkak të sjelljeve të vetë viktimës, i cili ka pasur varësi nga alkooli dhe ka ushtruar dhunë permanente. Në ditën e ngjarjes viktima pretendohet se ka ushtruar dhunë dhe më pas situata ka precipituar. Ai ka reaguar duke u mbrojtur”, tha në një prenoncim për mediat avokati.
Ngjarja e rëndë në Maliq fillimisht u raportua si aksidentale dhe u tentua të fshihej nga familjarët.
Hetimet nxorrën në pah se 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur është konfliktuar në banesë me babain, të cilin ka dashur t’a hedhë në pusin që ndodhej në oborrin e banesës. Për vetëmbrojtje, 77-vjeçari, e ka goditur disa herë në kokë me një çekiç.
/rtsh.al/