Çmimi i gazit natyror në Evropë këtë të premte ka rënë nën 50 euro, për herë të parë në pothuajse një vit e gjysmë.
Çmimi i gazit standard në Dutch TTF ra në 48.77 euro.
Ky nivel i çmimit për herë të fundit kishte qenë në gusht të vitit 2021, një çmim ky pothuajse shtatë herë më i ulët sesa çmimet e larta që mbizotëruan pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
“Çmimet e gazit evropian kanë rënë për 50 për qind që nga nëntori i vitit të kaluar falë motit të nxehtë…si dhe konkurrencës me Kinën kur në këtë shtet ishte ende në fuqi strategjia Zero-Covid”, tha analisti nga UniCredit, Edoardo Campenella. Kina hoqi kufizimet ndaj pandemisë së koronavirusit në dhjetorin e vitit të kaluar, por ky shtet ende nuk ka rritur kërkesat e saj për gaz.
Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, shtetet perëndimore janë detyruar që të furnizohen me gaz nga shtete të tjera, jo nga Rusia, që është shteti prodhues më i madh i këtij produkti. Që atëherë, Norvegjia është bërë furnizuesja kryesore e Evropës me gaz.
Konflikti në Ukrainë ka shkaktuar trazira në ekonominë globale, duke rritur çmimet e energjisë dhe inflacionin.