Ballina Lajme Bibloteka Publike e Fierit “Dritëro Agolli” e përzgjedhur mes 15 vëndeve europiane...

Bibloteka Publike e Fierit “Dritëro Agolli” e përzgjedhur mes 15 vëndeve europiane merr pjesë në konferencën ndërkombëtare të zhvilluar në Kinë

8

Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” mori një vëmendje të veçantë përmes fjalës së drejtueses së këtij institucioni Znj. Klodjana Gjata në konferencën ndërkombëtare, “The 3rd China-CEEC curators’ Forum of Libraries Union”, të zhvilluar në Nanjing, Kinë.
Për të tretin vit radhazi, Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” ishte e ftuar në këtë konferencë ndërkombëtare e cila ka krijuar një traditë dhe përcjell mesazhe të forta të bashkëpunimeve në lëmin e veprimtarisë së bibliotekave, por edhe shkëmbimit të ideve dhe përvojave të vendeve pjesëmarrëse.

Të kujdesur në detajet më të imta të organizmit të kësaj konference, organizatorët e takimit iu dhanë hapësirën e parë drejtorëve të bibliotekave të qytetit Nanjing dhe HangZhou, të cilët në fjalën e tyre përshëndetëse shprehën rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë takim si një urë shkëmbimi mes kulturave dhe përvojave bibliotekare.
Duke u nisur nga misioni dhe vizioni i punës së një biblioteke, drejtuesit e sipërpërmendur theksuan rëndësinë e përfshirjes së komunitetit në veprimtarinë e bibliotekave me qëllim rritjen e influencës mes të gjithë pjesëtarëve.
Në këtë konferencë, Biblioteka e Fierit u përfaqësua nga Znj. Klodjana Gjata, ku përmes fjalës së saj mes 15 shteteve evropiane, edhe Biblioteka “Dritëro Agolli” kishte mundësinë e prezantimit të aktiviteteve dhe projekteve vjetore. Në një prezantim të qartë dhe me të dhëna konkrete znj. Klodjana Gjata bëri të ditur aktivitetet kyçe të Bibliotekës që janë bërë tashmë një traditë e konsoliduar dhe që për të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë ngjallën mjaft kërshëri dhe janë vlerësuar përmes komenteve të tyre. Vlen për t’u theksuar fakti se Biblioteka “Dritëro Agolli” ka qenë e vlerësuar dhe nga institucionet e kulturës, si një ndër bibliotekat më të mira në vend që, përmes politikave dhe aktiviteteve të saj, është shndërruar në një portë të madhe, e frekuentuar nga të gjitha grupmoshat.
Në këtë konferencë u diskutuan tema si: promovimi i librit, novacioni, llojet e literaturës, shërbimi i librit, hapësira urbane e leximit, rëndësia e të lexuarit tek të rinjtë etj.
Ajo që ra në sy ishte gatishmëria dhe synimi për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes bibliotekave që janë pjesë e Unionit dhe nxitjen në zhvillimin sipas modeleve ndërkombëtare.
Si gjithmonë edhe për këtë takim, organizatorët ishin përkujdesur që gjithë koha e qëndrimit në Kinë, në vendin e organizimit të konferencës, të ishte e mbushur jo vetëm me takime frytdhënëse sipas tematikave të përcaktuara, por edhe për të shijuar vlerat e kësaj zone. Traditat dhe mikpritja e tyre vazhdon të mbetet tërheqëse dhe të zgjon kurdoherë kërshërinë për të qenë i pranishëm në takime të tilla mjaft frytdhënëse të shkëmbimit të eksperiencave mes vende të ndryshme të botës.