Një tjetër vlerësim nga Ministria e Kulturës Elva Margariti për bibliotekën “Dritëro Agolli” E zgjedhur enkas si një nga bibliotekat më të mira në vend, tetori i librit solli Ministren e Kulturës Elva Margariti në bibliotekën publike “Dritëro Agolli” në Fier.
E vlerësuar edhe më parë për punën e saj me librin dhe lexuesin, për kushtet modern dhe përkushtimin e stafit të këtij institucioni, biblioteka publike “Dritëro Agolli” e ka shtrirë veprimtarinë dhe prezantimin e saj dhe jashtë kufijve të vendit.
Ministria Margariti ka vlerësuar arritjet e deritanishme të kësaj biblioteke dhe ka siguruar se edhe në të ardhmen, jo vetëm do të mbetet, por edhe do të rritet në përmbushje të synimeve të punës së saj. I gjithë takimi ishte konceptuar në formën e një bashkëbisedimi të lirshëm dhe shkëmbimit të mendimeve dhe ideve rreth punës me librin dhe përftimet nga ai.
Ministria Margarita ka shprehur kënaqësinë, pasi ka dëgjuar dhe prezantimin e punës së bibliotekës nga Drejtoresha Klodjana Gjata, se nisma “Lexo shqip, fol shqip” pa frikë ka gjetur jo vetëm zbatim, por edhe rritje në zbatimin e saj për lexues të grupmoshave të ndryshme.
Duke qenë se kjo vizitë vinte një ditë pas ditëlindjes së shkrimtarit të madh “Dritëro Agolli” nuk kishin si të mungonin dhe interpretimet e vargjeve të tij nga aktorët Klajdi Marku e Miola Sitaj. Koha e kaluar në mjediset e kësaj biblioteke ka pasur si kryefjalë librin.
E shoqëruar dhe nga drejtues të Bibliotekës Kombëtare znj. Margariti bëri të ditur se bashkë me këtë bibliotekë jepet një kontribut në pasurimin e bibliotekës së Fierit, duke dhuruar 140 tituj librash, që i përkasin autorëve të mëdhenj klasikë botërorë: Balzak, Hygo, Tolstoi, Twain…, por edhe klasikët tanë Naim Frashëri, Çajupi, Migjeni etj., një kolanë prej 50 titujsh e mbështetur nga Ministria e Kulturës.
Një vlerë të veçantë merr edhe dhurata nga Biblioteka Kombëtare me emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe të Rilindjes dhe të para Luftës II Botërore: Sami Frashëri, Poradeci, Kuteli, Koliqi, Kristoforidhi, Shiroka, Kristo Dako.. Të gjithë kanë ndarë mendimin se ky kontribut do t’i shërbejë më së shumti brezit të ri që duhet të vazhdojë të lexojë shqip./Tv Kombi