Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje ndaj qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës dhe të zgjedhin ndryshimin në zgjedhjet e 14 Majit. Berisha u shpreh se vota për ndryshim, çel dyert për një gjendje më të mirë ekonomike, paga më të larta, shkollim më të mirë dhe kujdes shëndetësor të shtuar e cilësor.
“U drejtohem me këtë rast në radhë të parë të rinjve të vendit, të gjithë të rejave dhe të rinjve, të cilët janë sot në Shqipëri. I ftoj të votojnë më 14 maj ndryshimin.
Të votojnë të ardhmen, të votojnë për veten e tyre, të votojnë për bashkëmoshatarët që kanë braktisur Shqipërinë për shkaqe të lidhura direkt me politikat e Edi Ramës.
U bëj thirrje nënave, motrave, grave dhe vajzave të marrin pjesë më shumë se kurrë në këto zgjedhje. Të bëjnë gjithçka që këto ditë të jenë ditët e përkushtimit të madh, për të bindur edhe qytetarin e fundit për të votuar ndryshimin.
Vota për ndryshimin është një votë që çel dyert për një gjendje më të mirë ekonomike, për një konsolidim të familjes shqiptare, për rroga më të larta, për shkollim më të mirë, për kujdes shëndetësor më të mirë.
U bëj thirrje të gjithë burrave, të marrin pjesë në këto votime dhe të votojnë ndryshimin sepse alternativa tjetër është humbja e vendeve të punës dhe largimi nga Shqipëria”, tha Berisha.
/rtsh.al/