Ballina Lajme Politike Berisha njofton tjetër protestë më 6 dhjetor, Balla: Protestë kundër BE!...

Berisha njofton tjetër protestë më 6 dhjetor, Balla: Protestë kundër BE! Tradhtar që i shërben lojës së Putin

1

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar ashpër pasi kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha njoftoi se do të mbajë me 6 dhjetor protestën e radhës kundër qeverisë, ditë kur do të zhvillohet në Tiranë edhe Samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Me një postim në Twitter, Balla e konsideron protestën si ngritje kundër Bashkimit Europian, ndërsa Berishën e quan “tradhtar” që punon për “planet” e Presidentit rus, Vladimir Putin.

Turpi i Shqipërisë ka emër! Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Këtë rregull kurrë nuk e ka shkel kush në Shqipëri. Ne kemi shkruar historinë tonë me kodin tonë të mikpritjes. Por tradhtari dhe turpi i çdo vlere shqiptare Sali Berisha do të presë në besë shqiptarët më datë 6 Dhjetor 2022, duke thyer çdo normë, me kanun e kode shqiptari. Nuk e ka herën e parë që e bën.  Sali Berisha thërret protestë kundër Samitit BE-Ballkani Perëndimor, thërret njerëzit e tij të turpërojnë Shqipërinë.  Sali Berisha thërret protestë në ditën e dasmës më të bukur të ribashkimit me Europën. A ka ndokush më pikëpyetje për kë punon Sali Berisha?! O vëllezër e motra ky tradhtar ka thirr protestë kundër Bashkimit Europian. Ky tradhtar po i shërben lojës së Vladimir Putinit kundër Bashkimit Europian”, shkruan Balla në Facebook.

Në mbledhjen e Kryesisë këtë të premte, Berisha njoftoi mbajtjen e protestës më 6 dhjetor, ndërsa argumentoi se zgjodhën këtë ditë me qëllimin që Evropa të kuptojë problemet reale të shqiptarëve, sipas tij. Ai theksoi se protesta do të jetë paqësore kundër qeverisjes aktuale.

/rtsh.al/