Sali Berisha ka ankimuar në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve vendimin e komisionerit të KQZ, Ilirjan Celibashi për të mos e njohur si kryetar të PD dhe rrjedhimisht të mos e regjistrojë në zgjedhjet e 14 majit 2023.
Në ankimim, PD kërkon nga KAS kundërshtimin e vendimit të Komisionerit Celibashi dhe ndryshimin e vendimit duke vendosur regjistrimin e PD me kryetar Sali Berishën në zgjedhjet e 14 majit.
Në argumentet e dhëna KAS, thuhet se “KQZ nuk mund të refuzojë regjistrimin e PD përfaqësuar nga Sali Berisha vetëm bazuar mbi mungesën e shkresës së regjistrit të partive politike, ku fatkeqësisht në regjistër vijon të mbeten të dhëna të pasakta dhe të vjetëruara, që datojnë qysh nga regjistrimet e vitit 2018”
Për këtë Berisha kërkon që “KQZ ta lexojë dhe interpretojë Kodin Zgjedhor në tërësinë e tij, pa i analizuar të veçuar dispozitat e ndryshme të Kodit”, sidomos kur flitet për përcaktimin e kryetarit të një partie politike dhe se nuk duhet të “injorojë faktet e njohura botërisht të cilat kanë forcën e provës”, ku citon Nenit 139 e Kodit Zgjedhor.
“Referuar kësaj dispozite të Kodit Zgjedhor, përcaktohet shumë qartë se: “Për faktet, të cilat janë të njohura botërisht, si dhe për ato fakte, të cilat janë të ditura për KQZ-në, për shkak të funksioneve të saj, nuk nevojitet verifikim. E zbatuar në rastin konkret rreth problematikës së pasqyrimit të emrit të Kryetarit të PD në regjistrin e partive politike, për të zgjidhur drejt çështjen e regjistrimit të PD si subjekt zgjedhor, KQZ kishte detyrimin që të merrte në konsideratë edhe faktet e njohura botërisht, siç janë konkretisht:
(i) Shkarkimi i Lulzim Bashës nga anëtarësia e PD në Kuvendin e 11 Dhjetorit 2021 dhe e konfirmuar me Referendumin e datës 18 Dhjetor 2021:
(ii) Dorëheqjen publike të Lulzim Bashës në date 21.03.2022: si dhe
(iii) Zgjedhjen e Sali Berishës si Kryetar i PD pas referendumit të anëtarësisë në Maj 2022.”, thuhet në ankimimin e PD së Berishës.
Në mbledhjen e zhvilluar në 9 mars, Ilirjan Celibashi vendosi të mos e pranojë regjistrimin e PD me kryetar Sali Berishën, pasi sipas ligjit dhe me vendim gjykate Lulzim Basha njihet ligjërisht si kryetar i PD-së.
/rtsh.al/