Ballina Lajme Politike Beleri del para Gjykatës së Posaçme të hënën, zbulohen emrat e gjyqtares...

Beleri del para Gjykatës së Posaçme të hënën, zbulohen emrat e gjyqtares së çështjes dhe prokurores së SPAK

0

Fredi Beleri del para Gjykatës së Posaçme ditën e hënë në orën 13:00 për tu vlerësuar me masën e sigurisë edhe nga kjo gjykatë, pasi Vlora shpalli moskompetencë.

Mësohet se gjyqtare e çështjes është Atalanta Zeqiri, ndërsa do të përfaqësojë organin e akuzës (SPAK), Dorina Bejko.

Arrestimi i Fredi Belerit erdhi 48 orë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 14 Majit, ku 51-vjeçari garonte përballë kandidatit të mazhorancës Jorgo Goro për bashkinë e Himarës. Prangosja e Fredi Belerit është kryer në lokalin që ai zotëron në qytetin e Himarës.

Një ditë para zgjedhjeve, gjykata e Vlorës vendosi masën “arrest me burg” për Fredi Belerin dhe bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi për blerje votash. Por kjo gjykatë shpalli moskompetencë duke ia kaluar çështjen SPAK. Më pas, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Fredi Beleri u bë pjesë e debatit politik edhe për shkak të një deklarate që bëri gjatë një interviste për gazetën greke ‘Protothema’, në të cilën ai përmendi një plan për helenizimin e Himarës, çka ai e mohoi më vonë.