Ballina Lajme BBC: Të burgosurit shqiptarë paguhen nga qeveria britanike për t’u kthyer në...

BBC: Të burgosurit shqiptarë paguhen nga qeveria britanike për t’u kthyer në shtëpi

0

Të burgosurve shqiptarë në Britaninë e Madhe iu është ofruar 1500 paund për t’u larguar drejt Shqipërisë.

Kështu e nis artikullin e vetë Lucy Williamson në BBC, e cila shkruan se autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se shumica e shqiptarëve të kthyer në atdhe, që u kthyen me forcë këtë vit, ishin dënuar për krime në Britani.

Sipas një dokumenti të qeverisë britanike, kjo skemë është “një stimul financiar” që u ofrohet të burgosurve të huaj “me kusht që ata të bashkëpunojnë me dëbimin dhe të heqin dorë nga e drejta e tyre për të apeluar kundër tij”. Nuk ka ende shifra të sakta lidhur me numrin e të burgosurve shqiptarë të cilët marrin pagesë në këmbim të kthimit në atdhe.

Fluturimet e deportimit në Shqipëri janë rritur që kur vendi nënshkroi një marrëveshje të përbashkët bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar dhjetorin e kaluar, për të “frenuar dhe penguar migrimin e paligjshëm”.

Zyra e Brendshme e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar thotë se më shumë se 1000 njerëz janë kthyer që atëherë : rreth gjysma e tyre vullnetarisht, pjesa tjetër një kombinim i azilkërkuesve të dështuar dhe shkelësve të huaj.

Disave u ishin ofruar para në këmbim të pranimit të dëbimit dhe u liruan nga burgu përpara se të vuanin dënimin e tyre minimal, sipas një skeme ekzistuese të përdorur për shkelësit e huaj.

Ne i kërkuam Zyrës së Brendshme të konfirmonte se sa shqiptarë ishin dëbuar nën ERS që nga fillimi i vitit të kaluar dhe sa kishin marrë stimuj financiarë për të bashkëpunuar, por ajo tha se nuk i publikoi këto statistika.

Një zëdhënës tha në një deklaratë: “Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe ajo shqiptare punojnë së bashku për të shfrytëzuar çdo mundësi për të kapur punën e kontrabandistëve të njerëzve dhe për të përshpejtuar largimin e shqiptarëve pa të drejtë ligjore për të qenë në MB.””, thuhet në artikull.

Vitin e kaluar, Akti i Kombësisë dhe Kufijve i qeverisë zgjati periudhën e lëshimit të parakohshëm të lejuar sipas ERS nga nëntë muaj në një vit. Një nga qëllimet e këtij ndryshimi, sipas një përmbledhjeje të Zyrës së Brendshme, ishte rritja e numrit të largimeve.

I njëjti ligj shfuqizoi gjithashtu datën e skadencës për dënimet e pavuajtura, që do të thotë se të burgosurit që kthehen në MB ilegalisht do të duhet të kryejnë pjesën tjetër të dënimit, pavarësisht se sa kohë ka kaluar.

Po ashtu, sipas të njëjtin artikull, thuhet se Policia shqiptare ka shtuar së fundmi kontrollet në pikat kufitare të vendit, për të kapur të dëbuarit në listën e zezë që tentojnë të kalojnë.

Rritja e bashkëpunimit midis Britanisë dhe Shqipërisë ka përkuar me një rënie të mprehtë të numrit të shqiptarëve që mbërrijnë me varka të vogla, ku vetëm 29 janë zbuluar në muajt e parë të këtij viti.

Williamson teksa ka pyetur ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Bledar Çuçi, se çfarë po bënte Shqipëria për të parandaluar që të dëbuarit e fundit të ktheheshin në Britaninë e Madhe, tha se “Nuk është e mundur t’i vendosësh të gjithëve një çip për të ndjekur atje ku shkojnë. Nëse ka persona me precedentë penalë, veçanërisht në trafik, atëherë policia do të jetë në gatishmëri. Por në përgjithësi, personat që kthehen janë qytetarë të lirë në Shqipëri.”

Por krahas punës për migracionin e paligjshëm, shtoi Ministri Çuçi, të dy qeveritë duhet të punonin në rrugë legale që qytetarët shqiptarë të arrinin në Britani.

“I kam sugjeruar koleges sime, [sekretares së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar] Suella Braverman, që të krijojmë gjithashtu legalizimin e menjëhershëm të të gjithë shqiptarëve që punojnë në [MB] në një punë të ndershme dhe që nuk kanë precedentë penalë”, shtoi Çuçi.

/rtsh.al/