Prej më shumë se dy dekadash, Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Sipas klasifikimit të BB këtu hyjnë vendet me të ardhura për frymë ndërmjet 4,466 dollarë dhe 13,845 dollarë. Por që të kalojë këtë prag Shqipëria të rrisë investimet në arsim dhe në teknologji, sugjeron Banka Botërore në Raportin e fundit të Zhvillimit Botëror për vitin 2024.
Vendet me të ardhura të mesme janë në një garë me kohën. Që nga vitet 1990, shumica e vendeve në botë përfshi edhe Shqipërinë kanë bërë mjaftueshëm për t’u shpëtuar niveleve me të ardhura të ulëta dhe çrrënjosjen e varfërisë ekstreme. Por tani, ambiciet duhet të rriten për të arritur statusin me të ardhura të larta brenda dy ose tre dekadave të ardhshme.
Sipas Bankës Botërore, pikat kyçe ku realizohet kjo arritje është një ekonomi e bazuar në inovacion dhe investimet në kapitalin njerëzor. Shembull i mirë në botë është Koreja e Veriut, ndërsa në Europë, Polonia, Estonia etj.
Me një popullsi në plakje dhe me borxhe të larta publike, ekonomitë me të ardhura të mesme të larta, ku bën pjesë edhe Shqipëria, janë duke u rritur në hapësira të ngushta.
Rruga e vetme për të siguruar prosperitet është qasja e ekonomisë në zhvillimin teknologjik dhe nxitja e talenteve. Banka sugjeron se qeveritë në vendet më të ardhura te mesme të larta, ku bën pjesë edhe Shqipëria, duhet të huazojnë teknologji dhe ide për zhvillimin e saj nga jashtë.
Ky proces kërkon ristrukturim të ndërmarrjeve, një liri më të madhe në ekonomi, lëvizshmëri sociale.
Përveç teknologjisë vendet si Shqipëria duhet të investojnë në burimet njerëzore dhe te talentet, të cilët çojnë para forcën krijuese. Në përgjithësi, në vende si Shqipëria ka një hendek talentesh në krahasim me vendet e zhvilluara, ndaj investimet në arsim konsiderohen si mjeti kryesor për të shënuar progres.
Drejtuesit e talentuar dhe të zgjedhur në bazë të meritave janë shumë të nevojshëm për të çuar reformat para drejt prosperitetit, përfundon raporti i BB-së.
Sipas Monitor