Ballina Lajme Politike Basha në prezantimin e Reformës Zgjedhore: Presidenti të zgjidhet nga populli, të...

Basha në prezantimin e Reformës Zgjedhore: Presidenti të zgjidhet nga populli, të sigurohet vota e emigrantëve

8

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, gjatë prezantimit të Reformës Zgjedhore është shprehur se nuk duhet të ketë imunitet për qeveritarët dhe parlamentarët që hetohen nga SPAK.

Basha gjithashtu tha se duhet të sigurohet e drejta e votës për emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe duhet që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

“Për të trajtuar problematikën globale të hakerimit të sistemeve elektronike, Shqipëria ka vendosur me insistimin tonë që këto sisteme të mos jenë të lidhura me internetin. Listat e hapura, vetingu i politikanëve, janë aspekte të reformës zgjedhore që ne do të insistojmë që t’i çojmë përpara.

Shqipëria e dytë shtrihet në Londër, në Neë York, etj. Kanë mbaruar alibitë për të mos iu njohur shqiptarëve të drejtën e votës kudo që ata jetojnë. Votimi elektronik është një tjetër mundësi për të shmangur abuzivizmin që shkakton sot votimi në ambasadë, apo me postë.

Shpikja me regjistrin e emigrantëve, rezultoi një tjetër grykë shishje për të bllokuar votimin e tyre. Nuk ka nevojë për regjistër, ata janë në gjendjen civile. Nuk ka nevojë për regjistra të veçantë për vëllezërit dhe motrat tona, ata janë në regjistrin elektronik të Shqipërisë.

Që nga 2008 kur i hoqën një nga një dhëmbët dhe dhëmballët presidentit të Republikës, vendi është përballur me kriza të herëpashershme. Kthimi i Presidentit të Republikës me kompetencat që iu hoqën në vitin 2008, është prioritet i PD-së, ashtu siç është prioritet edhe heqja e imunitetit atyre që hetohen nga SPAK. Presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”, u shpreh Basha.