Ballina Lajme Politike Balla për Berishën : “…edhe Bashkimi Europian është në procesin për ta...

Balla për Berishën : “…edhe Bashkimi Europian është në procesin për ta shpallur non- grata!”

1

Ndërsa ish presidenti dhe ish kryeministri i PD Sali Berisha, ka akuzuar qeverisjen e socialistëve dhe e ka krahasuar me regjimin e dikurshëm monist, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka lëshuar deklarata të forta ndaj tij. 

Duke kujtuar se udhëheqësi opozitës është i “padëshiruar” në SHBA dhe Britaninë e Madhe, zoti Balla ka paralajmëruar se edhe BE do të ndjeki të njëjtën rrugë. “Siç duken bathët i vetmi që duhet të kërkojë vrimë ku të futet është Sali Berisha! Në Amerikë as me not nuk shkon dot, edhe në Angli noti nuk e ndihmon për të kaluar Lamanshin, por siç po duken bathët edhe Bashkimi Europian është në procesin për ta shpallur non- grata, për arsye që dihen, korrupsion të nivelit të lartë, minim të demokracisë …” tha zoti Balla nga Fieri.

“Nëse ka një vrimë ku anija e shqiptareve fut ujë në këto 30 vite është për shkak të Sali Berishes” tha ai. Kreu i grupit parlamentar socialist taulant Balla ka përsëritur akuzat tashmë të njohura prej vitesh të maxhorancës socialiste ndaj zoti Berisha. “Prej 33 vitesh ai ( Berisha) saboton në mënyrë konstante interesat kombëtare të shqiptarëve! Ka sabotuar sa ka patur mundësi interesat e shqiptarëve të Kosovës duke furnizuar me naftë makinerinë vrasëse përmes thyerjes se embargos së OKB-së gjatë konflikteve në ish- Jugosllavi, ndërkohe që në Himarë nën logon e PD ka kandiduar një prej personave të dënuar me vendim gjykate për masakrën e Peshkëpisë. Por megjithatë kjo vrimë shumë shpejt do të mbyllet!” tha zoti Balla.

/ rtsh.al /