Nga Frakulla kryetari i bashkisë së Fierit Armando Subashi ka garantuar vazhdimësinë e punës në drejtim të zbatimit të shumë projekteve dobiprurëse për gjithë komunitetin e kësaj zone. Subashi në fjalën e tij ka pohuar se problematika e viteve të mëparshme ishte e përqendruar në kërkesat e komunitetit për më shumë rrugë, më shumë ujë të pijshëm, shkolla më të mira, pastrimin e plehrave, për pastrimin e kanaleve kullues dhe vaditës.
Këto ishin disa nga kërkesat më të domosdoshme, më jetike që praktikisht çdo familje duhet t’i ketë të garantuara, ka pohuar Subashi. Duke iu referuar situatës financiare të trashëguar nga koha para krijimit të bashkisë së re, ai do të përmendte një borxh prej mbi tre miliardë lekësh i cili erdhi i trashëguar nga nëntë komunat, i shlyer në një kohë të shkurtër të mandatit të tij të parë dhe bërë të mundur kryerjen e shumë investimeve të tjera. Por sipas Subashit rezultatet mund dhe duhet të ishin më të larta, por sërish qeverisja vendore është përballuar si me problematikat e shkaktuara nga pandemia, nga tërmeti dhe së fundit me luftën në Ukrainë.
“Me buxhetin e këtij vitit do të rifillojmë investimet me mbështetjet masive të qeverisë për shumë nga projektet që praktikisht janë gati dhe pritet financimin. Këto projekte dalin tej mundësive të fondeve bashkiake dhe me përmirësimin e situatës ekonomike në vend do të njohin investim dhe realizim”-ka garantuar Subashi banorët e kësaj zone. Por ai është ndalur në shumë arritje të shënuara gjatë këtyre viteve duke filluar me investimin e sistemin e vaditjes dhe kullimit pasi sipas tij Frakulla është një nga zonat më të rëndësishme të zhvillimit bujqësor në Fier. Rëndësi sipas tij i është kushtuar mirëmbajtjes të gjitha rrugëve përmes punës së kryer nga ndërmarrja e rrugëve rurale duke i fuqizuar me mjete pune në mënyrë të vazhdueshme.
Ai ka përmendur disa nga investimet si ajo e fundit e riveshjes së rrugës nga Sheqi deri në Levan, ndërkohë që me buxhetin e këtij viti janë planifikuar ndërhyrje në Adë, në Sheq, Kashisht me asfalt, ashtu si një investim i rrugës lidhëse të Frakullës së Vogël me Vjosën. Ai ka përmendur punët e kryera në drejtim të sistemit arsimor, qendrat shëndetësore, mbështetjes së bizneseve të zonës, etj.
Beteja për 2025 fillon në 15 maj, një ditë pas zgjedhjeve të 14 majit, prandaj jemi të vendosur që të vazhdojmë intesivisht me të gjitha punët, projektet të marrim këtë rezultat pozitiv për këto zgjedhje dhe në fund të fundit të kemi të gjithë të drejtën morale që edhe pas zgjedhjeve të 14 majit t’i themi kryeministrit Edi Rama që Fieri e tregoi veten cili është, kryeqyteti i socialistëve, Fieri mbështeti prapë PS, ndaj Fieri ka nevojë që të vazhdojë të mbështetet”- tha mes të tjerave kandidati Subashi duke e cilësuar si të garantuar fitoren e 14 majit.
Nga ana e tij Taulant Balla është shprehur se në 14 maj do të kemi një rikonfirmim dhe një fitore të bindshme të kryetarit Subashi, por ai ka kërkuar që nga këto votime të kemi votat dhe për këshillin bashkiak me qëllim që këshilli bashkiak të luajë rolin e parlamentit.
Ai është ndaluar në zhvillimet e fundit ekonomike sipas të cilit vetëm shpërblimi që jepet për pensionistët është gati 30 milionë dollarë , aq sa është dhe mbështetja aktuale për mbështetjen e bujqësisë. “Këto zgjedhje janë një mundësi e mirë për të komunikuar me njerëzit dhe për ca zyrtarë të administratës tonë që janë kundërshtarët tanë më të mëdhenj.
Nuk janë Saliu dhe Iliri kundërshtari ynë më shumë sesa ata zyrtarë nëpër zyrat e shtetit në ndonjë hipotekë apo në ndonjë zyrë tjetër që ti shkon dhe nuk mbaron punë kurrë.”-është shprehur balla në takim me banorët e kësaj njësie administrative. Ai ka kërkuar: “Ta votojmë Armandon, t’ia rinovojmë kontratën se përtej ndasive partiake Armando ka punuar për Fierin”.
/Tv Kombi/