Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla, nga Fieri është shprehur se protesta e opozitës është thirrur vetëm e vetëm për t’iu kundërvënë drejtësisë. Balla ka theksuar se protesta e opozitës u njoftua ditën kur në SPAK u thirr Shkëlzen Berisha, ndërsa ditën kur u çuan provat e reja për 21 janarin në SPAK u bllokua Kuvendi. “Fakti që dosja Gërdeci po ecën përpara, fakti që drejtësia më në fund po hedh dritë mbi këto dy ngjarje që janë ngjarje epokale të korrupsionit të Sali Berishës.
Gërdeci është korrupsioni, 21 janari vrasjet për të mbuluar korrupsionin. Do të presim 14 majin dhe rezultati do të jetë siç i shkon jo vetëm qarkut të Fierit, por edhe siç duhet dhe siç është vlerësimi i qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Balla. Balla është shprehur se opozita po organizon një protestë pa një shkak por për hall të Sali Berishës, si dhe u ndal edhe tek çështja e firmave që deputetë të opozitës kanë firmosur duke mos qenë fare në Shqipëri.
“Protesta e opozitës sot nuk lidhet me një shkak që ekziston. Sot Sali Berisha ka thirrur një protestë që të justifikojë hallin e tij. Ai është shpallur ‘non grata’ nga SHBA-të dhe pyetja që shtrojmë është, a ka ndonjë shqiptar dyshim që ai ka bërë korrupsion dhe ka minuar demokracinë. Ju e keni parë se si deputetë të PD-së edhe pse ishin jashtë Shqipërisë kishin firmosur me emër mbiemër, pa qenë këtu.
Këta e kanë problem të madh këtë çështjen e firmës dhe vulës, por në çështjet e tyre ne nuk ndërhyjmë dot. Kuvendi i Shqipërisë do t’i shkojë deri në fund një hetimi etik dhe penal se si guxojnë që deputetë, njëri kandidat për kryebashkiak në Tiranë, që edhe emrin i’a kanë shkruar gabim, nuk del të thotë. Këta që falsifikojnë firmat dhe vulat e njëri-tjetrit nuk kanë qasje për t’u shëruar. Këtyre shqiptarët duhet t’i japin një mësim siç duhet më 14 maj. Dhe ne do t’ia japim”, u shpreh Balla./Tv Kombi/