Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka akuzuar kreun e PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha për marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Vladimir Putin.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla iu drejtua Berishës duke i thënë se emri i tij figuron në listëpagesat e Kremlinit dhe se do të publikojë shumë shpejt edhe prova për të vërtetuar këtë akuzë.
Ndalur te financimi rus në PD, Balla tha se pavarësisht se paratë janë marrë me firmën e Lulzim Bashës, në fakt kanë qenë për llogari të Berishës.
“Si ka mundësi që nuk ke bërë asnjë deklaratë për sulmin kibernetik? Ish-president, ish-komandant i forcave të armatosura, të thuash: E dënoj sulmin kibernetik të Iranit’! E vërteta është që sot Irani është aleat me mikun tënd, Vladimir Putin. Në ditët në vijim do bëjmë publike fakte si lidhesh ti personalisht, nuk është e rastësishme që vota jote në 2011 është dhënë pro një rezolute të sponsorizuar nga Vladimir Putin. Je informuar me kohë për atë rezolutë dhe të është tërhequr vëmendje nga aleatët më të rëndësishëm të Shqipërisë që po hidhet baltë e madhe kundër Shqipërisë dhe Ushtrisë Cclirimtare të Kosovës dhe nuk ke bërë asnjë veprim. Ti ke hyrë në llogaritë e Kremlinit, në listëpagesat e Kremlinit. Ditët në vijim do dalin faktet e kësaj listëpagese që kulmoi me firmën e Lulit, por me porosinë e Saliut”, tha Balla.