Drejtuesi Politik i Qarkut Fier, Taulant Balla, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë, Armando Subashi, gjatë një takimi me zgjedhësit, u shpreh se zgjedhjet e 14 Majit, janë një mundësi për të zgjedhur për të ecur përpara me kryeministrin, Edi Rama.
“Me Armando Subashi zhvilluam një takim me banorë të lagjes Grecalli, ku folëm për të gjitha punët që ne do të vijojmë të bëjmë në këtë bashki. Zgjedhjet e 14 Majit janë mundësia e secilit prej nesh për të zgjedhur nëse duam të vazhdojmë të ecim përpara me Edi Ramën, apo të kthehemi mbrapa me Sali Berishën dhe Ilir Metën.”- theksoi Balla.
Sipas tij, fushata e Partisë Socialiste është fushata e parë e gjelbërt që po zhvillohet.
“Nga ana tjetër kemi përballë Saliun dhe Ilirin të cilët bëjnë koncerte 100 mijë euro vetëm për skenën. SPAK nuk duhet të bëjë shurdhin, por duhet të zgjohen pasi kjo faturë 100 mijë euro është një faturë që nuk duhet të shpëtojë pa u hetuar.”- tha Balla.
Kandidati i PS për bashkinë Fier është kryetari aktual i saj, Armando Subashi.