LEZHË- Një vrasje mafioze ka ndodhur sot në Shëngjin të Lezhës. Ardian Nikulaj (Marku) 51 vjeç, ish-kandidat për deputet i PSD në zgjedhjet e vitit 2021 mbeti i vrarë në lokalin e tij nga persona ende të pa identifikuar që dyshohet se erdhën aty me një motor dhe gjetën momentin kur ishte i vetëm në lokal.
51-vjeçari garonte në këto zgjedhje për këshillin bashkiak.
Viktima, rezulton të jetë pronar i disa bizneseve, e një prej tyre është edhe hoteli dhe lokali ‘Coral’ në zonën e Ranës së Hedhun, si dhe është pronar i disa sipërmarrjeve të tjera.
Ardian Nikulaj ka ndërruar mbiemrin pasi në të shkuarën ka pasur atë ‘Marku’. Biznesmeni i njohur në Lezhë, në të shkuarën ka qënë edhe Ish-kreu i Aluiznit e në të shkuarën ka qënë i dënuar për disa vepra penale.
Ai rezulton i dënuar me 4 muaj burg, për prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake dhe municioneve dhe për ‘armëmbajtje pa leje’. Ai ka qenë i dënuar në vitin 2003, dënim të cilin e ka deklaruar edhe në formularin e dekriminalizimit.
Nikulaj, është babai i 4 fëmijëve, ndërsa nuk dihen ende rrethanat e atentatit të kryer ndaj tij. Paraprakisht, dyshohet se është ekzekutuar nga dy persona.