Miratohen kritere dhe procedura të reja për përzgjedhjen e avokatëve që do të ofrojnë shërbime të ndihmës juridike dytësore, në proceset civile dhe administrative.
Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia dhe drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, Ergys Qirici, kanë firmosur një udhëzim të përbashkët, në të cilin skicohen kushtet mbi të cilat do të bëhen thirrjet për shprehje interesi, si dhe kush do të ketë të drejtë që të bëhen pjesë e listës.
Ky udhëzim, i cili është pjesë e ndihmës juridike të garantuar nga shteti dhe që publikohet nga rtsh.al, ka për qëllim vetëm miratimin e kritereve dhe procedurave për përzgjedhjen e avokatëve, pasi thirrja për shprehjen e interesit për listën e avokatëve të ndihmës juridike shpallet vit pas viti sipas afateve dhe procedurave të parashikuara në udhëzimin e përbashkët ndërmjet ministrit të Drejtësisë dhe kryetarit të Dhomës së Avokatisë.
Ajo është pjesë integrale e ligjit “Për rregullat e zbatimit të rotacionit në caktimin e avokatëve që do të ofrojnë shërbime të ndihmës juridike dytësore ne proceset civile dhe administrative”.
Kush ka të drejtë të jetë pjesë e listës
Të drejtën për t’u bërë pjesë e listës për ofrimin e ndihmës juridike dytësore në proceset civile dhe administrative e ka çdo avokat që plotëson kriteret e mëposhtme:
a) të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
b) të mos jetë shkarkuar nga ushtrimi i detyrës ose funksioni publik për arsye të integritetit etik, me vendim të organit kompetent kur ka marrë formë të prerë;
c) të mos ketë hequr dorë në mënyrë të njëanshme nga mbrojtja e subjekteve të parashikuar nga ligji, që kanë përfituar ndihmë juridike dytësore me vendim gjykate, përveç rasteve të parashikuara në ligj;
d) të mos ketë hequr dorë në mënyrë të njëanshme nga Kontrata e Shërbimit të lidhur me Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas, përveç rasteve të parashikuara në ligjin “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” dhe kontratës individuale të lidhur me Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas, për ofrimin e shërbimit të ndihmës juridike dytësore;
e) të marrë pjesë rregullisht në trajnimet që organizon Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas.
Avokatët që preferohen
Në listën e hapur preferohen avokatë, të cilët kanë specializim/trajnimet e nevojshme për përfaqësimin e të miturve në konflikt me ligjin sipas Kodit të drejtësisë penale për të mitur, viktimave të dhunës në familje, të viktimave të abuzuar seksualisht dhe viktimave të trafikimit.
/rtsh.al/ a.meta/