Ballina Lajme Autoriteti i Konkurrencës ndalon rritjen e çmimit të patentës, monitoron tregun për...

Autoriteti i Konkurrencës ndalon rritjen e çmimit të patentës, monitoron tregun për 1 vit

2

Autoriteti i Konkurrencës ndaloi sot rritjen e çmimit të patentës.

Vendimi u mor sot në mbledhjen e Komisionit të Konkurencës, organi vendimmarrës i Autoritetit ndalon zbatimin e marrëveshjes së lidhur më 13 mars, ndërmjet grupeve të interesit përfaqësues të Autoshkollave, DPSHTRR-së dhe DPT për rritjen e çmimit të patentës.

Marrëveshja konsistonte me caktimin e një dysheme, çka Konkurrenca e sheh si rrezik.

Në vendim thuhet se akt marrëveshja, me hyrjen në fuqi do të çojë në praktika të njëjta në çmimet/tarifat e pagesës për përgatitjen dhe fitimin e kategorisë së leje drejtimit, dëshmisë ose certifikatës, duke penguar, kufizuar dhe shtrembëruar konkurrencën në treg.

“Kjo marrëveshje mes Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Shoqatës “Kombëtare të Autoshkollave”, Shoqatës së Autoshkollave “Siguria në rrugë” dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, e cila ka për objekt de facto dhe de jure caktimin e tarifës së pagesës dhe kostos referuese minimale fiskale për përgatitjen dhe pajisjen me leje drejtimi, sipas kategorisë së lejedrejtimit, dëshmisë ose certifikatës, është e ndaluar” thuhet në njoftim.

1 vit monitorim

Po ashtu, Komisioni i Konkurrencës vendosi dhe monitorimin e tregut të shërbimit të përgatitjes dhe pajisjes me patenta, sipas kategorisë së lejedrejtimit, dëshmisë ose çertifikatës, për një periudhë 1 vjeçare.

Sipas akt-marrëveshjes së lidhur mes Shoqatës së Autoshkollave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe asaj të Transportit Rrugor, në varësi të kategorisë marrja e patentës do të kushtonte nga dy deri në tre herë më shtrenjtë.

Dhe nëse sot për të marr lejen më të zakonshme të drejtimit, atë të klasit “B” një kursant duhet të paguash rreth 45.000 lekë pa përfshirë kartonin apo dokumentet e tjera shëndetësore, kostoja do të rritej në 85.000 lekë.

/rtsh.al/