Gazetari Enrik Mehmeti, nga vendngjarja ku ndodhi atentati në mbikalimin e Panajasë, bën me dije se dyshohet se brenda mjetit ndodhen tre persona që kanë humbur jetë.
Më herët është raportuar për dy të vrarë dhe një të plagosur, ndërsa sikundër edhe policia e konfirmoi, viktimat ndodhen ende në mjet.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se pista kryesore që po hetohet, është prishja për pazare droge mes dy grupeve.
Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb dhe News24, se dyshohet së atentati është bërë nga tre persona, të cilët kanë ndjekur dhe vëzhguar makinën që po udhëtonin viktimat, më pas i janë afruar paralel dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash.
Dyshohet se autorët kanë qenë një në rolin e shoferit te automjetit dhe dy në rolin e qitësit.
Policia bëri me dije se gjatë krehjes së zonës, në fshatin Çerven, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur tip “BMW”, pa targa, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorëve të ngjarjes. Nga kqyrja paraprake e automjetit dallohen në brendësi të tij, 3 armë zjarri automatike.