Ish-kryeministri Berisha dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla janë ‘përplasur’ me njëri-tjetrin në Kuvend. Sipas Berishës, hija e skandalit të McGonigal endet në Parlament dhe sipas tij asnjë banalitet nuk mund ta sfumojë atë.
“Me asgjë, me asnjë akt, me asnjë banalitet nuk mund të sfumoni skandalin e tmerrshëm në të cilin jeni përfshirë. Këtu në parlament endet hija e McGonigal, i cili bashkëpunoi jo vetëm me Edi Ramën, por edhe me disa nga këta ministra e ministre. I cili mori përsipër si vrasës me pagesë të sulmojë opozitën, të shkatërrojë opozitën, i cili mori përsipër shumë e shumë veprime për të cilat kryetari juaj, një pjesë e juaj e mirë jeni dhe do të jeni në gjykim, në Shqipëri dhe SHBA. Për sa i përket zonjës! Zonjë do të ju them një gjë unë ty; ty të duket të pëlqejnë ato që thotë Rama, por unë ato nuk i them kurrë, unë jam soj tjetër, edukatë tjetër, kështu që nuk kam si ta kuptoj unë reagimin tënd, përveç një dëshire që të dëgjosh nga goja ime ato që thotë kryetari yt edhe në këtë sallë parlamenti. Por ato nuk do ti plotësoj ndonjëherë”, u shpreh Berisha.
Ndërkaq, kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla i kërkoi Berishës të nxjerrë videot e turpshme për të cilat ka folur dhe i bëri apel Kuvendit që t’i japë fund historive me gjuhë seksiste.
“Gratë deputete kanë ngritur një shqetësim, do doja që edhe gratë e opozitës ta merrnin në këtë konsideratë këtë qëndrim. Deklarimet e deputetit parafolës kanë qenë të turpshme, të rënda. Dole the që ke video për lloj-lloj maskarallëqesh dhe video të turpshme, nxirri pra. Mos i mbani qiriun një të vdekuri. Merreni dhe dëgjoni fjalën e këtij dhe dërgojuani familjeve tuaja. Mendoj që sekretariati i Kuvendit duhet t’i japë fund kësaj historie. Asnjë nuk ka të drejtë të marrë nëpër gojë askënd dhe çdo sulm me gjuhë seksiste nuk ka vend në Kuvend”, theksoi Balla.