Ballina Kulture Artistja e fillit dhe gjilpërës Egla Memaj në një ekspozitë në Galerinë...

Artistja e fillit dhe gjilpërës Egla Memaj në një ekspozitë në Galerinë e Artit “Vilson Kilica” në qytetin e Fierit

1

Në Galerinë e Artit “Vilson Kilica” në qytetin e Fierit artistja Egla Memaj do të çelë ekspozitën e saj personale në datën 20Janar. Këtë herë ajo ka zgjedhur një emër ngacmues të ekspozitës së saj të titulluar “Eden”.

E shquar si artistja e fillit dhe gjilpërës tashmë Egla Memaj ka profilizuar veten si piktorja e qëndismës së veprave të rralla dhe me një vështirësi të madhe në realizim të tyre. Ajo ka çelur një sërë ekspozitash me tematika të tilla duke marrë vlerësimin e specialistëve të artit, por edhe admirimin e vizitorëve të ekspozitave të saj.

Një traditë e trashëguar nga familja e saj, gjyshja dhe nëna, që me durim iu jepnin jetë punimeve të dorës të vendosura në mjediset e shtëpisë së tyre. Egla do të merrte ngacmimet e para për të punuar si fillim veshjet e kukullave lodra e më pas të merrte rrugën e edukimit në Universitetin e Arteve në degën tekstil dhe modë.

Në studion e saj mbizotërojnë fijet me ngjyrë argjendi dhe ari dedikuar etnografisë dhe folklorit shqiptar. Këto nuanca shfaqen në posterin njoftues të kësaj ekspozite në qytetin e Fierit për të zbuluar se çfarë do t’u servirë artdashësve fierakë nga arti i dorës së saj./Tv Kombi/