Ballina Lajme Arrestohet në Marok vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj

Arrestohet në Marok vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj

2

Policia e Shtetit ka njoftuar se është arrestuar në Marok shtetasi portugez Ruben Saraiva, i cili vrau me armë zjarri biznesmenin Ardian Nikulaj në Lezhë.

Sipas policisë, arrestimi i 28-vjeçarit u bë në kuadër të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok.

Autoritetet e Shqipërisë dhe ato të Markut po bashkëpunojnë për ekstradimin e Ruben Saraiva drejt vendit tonë. Për 28-vjeçarin Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Ndërkohë, vijon puna në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.

Nikulaj u vra më 19 prill të këtij viti në një atentat të mirë organizuar, ku ishte përfshirë edhe shtetas të huaj, mes tyre dhe vrasësi portugez.

Sipas informacioneve, Edmond Haxhia ishte porositësi dhe organizatori i atentatit. Portugezi, Ruben Saravia ishte ekzekutori i planit, personi i shfaqur me motor dhe jelek fosforeshent i cili qëlloi për vdekje me 7 plumba biznesmenin Ardian Nikulaj, e ndërsa 4 britanikët e tjerë kishin rolin e vëzhguesit. I pari mbërriti më 14 shkurt, portugezi Saravia, që në zonën e Lezhës u shfaq si turist. Ai ka qëndruar në shtëpinë e Haxhisë, në Kakarriq. Britanikët, mes të cilëve, çifti Harry Simson dhe Harriet Bridgeman, kanë ardhur njëri pas tjetrit në kohë të ndryshme, të gjithë nën kamuflimin e turistëve, por kanë mbledhur informacione mbi lëvizjet e Nikulajt. Një prej tyre Stiven Hunt ka qëndruar për disa ditë edhe në hotelin “Coral” në pronësi të Nikulajt, siç është edhe një moment i fiksuar në kamera, kur hyn natën në hotel dhe gjen rojën në gjumë. Hunt mendohet se ka arritur të depërtojë edhe në sistemin e kamerave të sigurisë së biznesit duke i dhënë grupit mundësinë të vëzhgojë në kohë reale lëvizjet e biznesmenit.

Historia e hasmërisë mes 2 fiseve që nisi për 1000 lekë

Hasmëria mes fisit Palaj (Lektasaj) dhe Nikulaj e ka zanafillën në vitin 1996 ku anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj) kanë ekzekutuar vëllain e Ardian Nikulaj, pas një konflikti të çastit në një pikë karburanti për 1000 lekë karburant. Pas kësaj vrasje në Lezhë janë ekzekutuar në një atentat dy anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj). Sot e kësaj dite kjo ngjarje e rëndë e ndodhur disa vite më parë është e pazbardhur dhe s’ka asnjë autor të dënuar nga drejtësia. Mendohet se vrasja e Nikulajt ka ardhur pikërisht në vazhdën e këtyre krimeve për gjakmarrjeje.