Një 20-vjeçar shqiptar është arrestuar në Belgjikë. Ai është kapur duke u kujdesur për një fermë kanabisi. Mediat vendase raportojnë se ngjarja ka ndodhur ditën e hënë në rrugën Joseph Wettinck në Seraing të Belgjikës. Policia belge kishte marrë një denoncim nga qytetarët në lidhje me kryerjen e një aktiviteti të paligjshëm në këtë zonë. Pas raportimit, gjatë kontrollit fizik, u gjetën tre dhoma kultivimi. Po ashtu, aty u kap edhe një burrë dhe një i mitur që kujdesej për to.
I riu shqiptar doli para seancës gjyqësore ku deklaroi se kishte shkuar në Belgjikë për t’u kujdesur për bimët narkotike. Ai shtoi se nuk i njihte personat e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Sipas tij, plantacioni ishte mbjellë kur ai mbërriti. Ende nuk ka një vendim përfundimtar nga gjykata për fatin e të riut.